U mbajt takim online me përfaqësues të Komisionit Evropian për Agjendën e Reformave dhe Planin e Rritjes
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, së bashku me Kryeministrin dhe përfaqësues të institucioneve relevante, zhvilluan takim online me përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian lidhur me zbatimin e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Në takim morën pjesë drejtori i përgjithshëm për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman, si dhe përfaqësues të tjerë të Komisionit Evropian dhe institucioneve shtetërore.
Gjatë diskutimit u shqyrtua progresi në realizimin e reformave prioritare, dinamika e përmbushjes së hapave reformues dhe koordinimi ndërinstitucional në kuadër të Mekanizmit për Reforma dhe Rritje.
U theksua rëndësia e vazhdimit të reformave në fushat e sundimit të së drejtës, administratës publike, menaxhimit të financave publike, transformimit digjital dhe zhvillimit ekonomik, si pjesë e procesit të integrimit evropian të vendit.
Bashkëbiseduesit riafirmuan partneritetin dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Qeverisë dhe Komisionit Evropian në realizimin e prioriteteve reformuese dhe avancimin e rrugës evropiane të vendit.

