Nga Urim Saliu
Ujku i Kozles u bë lajmi i ditës. Shetiste i lirë nëpër qytet, ndoshta më i lirë se vetë njerëzit. Kamerat e ndiqnin, qytetarët habiteshin, institucionet mobilizoheshin dhe në fund ai u kap e u dërgua në kopshtin zoologjik. Një histori që dukej si episod i pazakontë urban, por që në thelb fsheh një metaforë shumë më të errët për shoqërinë tonë.
Pyetja reale nuk është sa kohë endej ujku nëpër qytet. Pyetja reale është se sa ujqër të tjerë ecin mes nesh dhe ne nuk i shohim?
Ata janë kudo. Kanë zaptuar hapësira, institucione, mendje dhe ndërgjegje. Nuk kanë gjithmonë dhëmbë të dukshëm dhe sy të egër. Shpesh vijnë të veshur me buzëqeshje, me pushtet, me hipokrizi, me etje për përfitim dhe me instinktin e grabitqarit që pret momentin e duhur.
Ky ujk nuk jeton vetëm në male. Ai jeton brenda njeriut tonë, brenda kolektivitetit tonë. Është ajo errësirë që ushqehet me urrejtje, egoizëm, lakmi dhe mungesë ndërgjegjeje. Për momentin mund të duket i përgjumur, i heshtur, i padëmshëm. Por ujku nuk e humb kurrë natyrën e tij. Ai pret. Vëzhgon. Dhe kur zgjohet, shndërrohet në një kasap të pamëshirshëm që mund të shkaktojë dëme të paparashikueshme.
Ndoshta ujku i Kozles nuk ishte aspak lajmi më i frikshëm. Më të frikshëm janë ata ujqër që ecin çdo ditë pranë nesh dhe që kemi filluar t’i quajmë normalitet.