Katari paralajmëron Iranin: Ngushtica e Hormuzi s’duhet përdorur si armë

Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, paralajmëroi të martën Iranin kundër përdorimit të Ngushticës së Hormuzit si mjet presioni ndaj vendeve të Gjirit.

Gjatë një konference për shtyp në Doha me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan, Al Thani deklaroi se “Irani nuk duhet ta përdorë këtë ngushticë si armë për të ushtruar presion ose për të shantazhuar vendet e Gjirit”.

Ai theksoi se Ngushtica e Hormuzit është një korridor ndërkombëtar ujor me rëndësi strategjike globale dhe duhet të mbetet gjithmonë e mbrojtur dhe e hapur për lundrim.

“Kjo gjendje aktuale e ngushticës dhe ajo që po ndodh atje nuk duhet të përsëritet kurrë”, u shpreh Al Thani.

Nga ana tjetër, Fidan mbështeti deklaratat e homologut të tij nga Katari, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së lirive të lundrimit në një prej rrugëve më të rëndësishme për furnizimin global me naftë dhe gaz.

“Parandalimi i përdorimit të Ngushticës së Hormuzit si armë është jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, por edhe për ekonominë globale”, tha ai.

Katari dhe Turqia shprehën gjithashtu mbështetje për përpjekjet diplomatike të Pakistanit për ndërmjetësimin e një armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë të mbeten të larta.

“Katari dhe Turqia mbështesin përpjekjet e ndërmarra nga Pakistani për të arritur një marrëveshje armëpushimi, për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur, për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për të rikthyer lirinë e lundrimit në normalitet”, deklaroi Al Thani.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo