Australia tha sot se të gjashtë pasagjerët e anijes turistike të prekur nga hantavirusi janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe do të vendosen në karantinë pas kthimit në shtëpi, transmeton Anadolu.
Ministri i Shëndetësisë, Mark Butler tha në një intervistë për ABC News se pesë australianë dhe një neozelandez nga anija turistike e prekur nga hantavirusi “MV Hondius” pritej të mbërrinin në Holandë përpara se të vazhdonin udhëtimin e tyre për në Australi.
“Ata duhej të zbarkonin në orën 8:10 të mëngjesit sipas kohës sonë dhe do të transferoheshin në një strukturë karantine hoteli ndërsa finalizohen marrëveshjet e fluturimit nga Holanda në Australi”, tha ai.
Ministri i quajti marrëveshjet e fluturimit për të sjellë pasagjerin “një detyrë të vështirë” dhe shtoi se ata do të kthehen gjatë kësaj jave. Butler tha se qeveria australiane po koordinohej me Departamentin e Punëve të Jashtme për të organizuar fluturime me ekuipazhe të gatshme të izolohen pas transportimit të pasagjerëve.
Me mbërritjen në Australinë Perëndimore, pasagjerët do të hyjnë në një strukturë karantine të ndërtuar posaçërisht për rreth tre javë. Autoritetet do të vendosin më pas se çfarë monitorimi shtesë mund të nevojitet gjatë periudhës 42-ditore të inkubacionit të virusit.
Butler tha se reagimi ndaj karantinës shkon përtej masave të miratuara nga shumica e vendeve të tjera që riatdhesojnë pasagjerët e anijeve turistike, shumë prej të cilave kërkojnë vetëm disa ditë në karantinë të centralizuar të ndjekur nga izolimi në shtëpi.
Shpërthimi, që përfshin llojin e hantavirusit të Andeve, ka rezultuar në pesë raste të konfirmuara, përfshirë tre vdekje, sipas zyrtarëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Shkencëtarët konfirmuan se shpërthimi u shkaktua nga varianti i rrallë i hantavirusit të Andeve, i vetmi lloj i njohur i aftë të transmetohet nga njeriu te njeriu, zakonisht përmes kontaktit të ngushtë.
OBSH-ja tha se dy pasagjerë që më vonë vdiqën kishin udhëtuar në Argjentinë, Kili dhe Uruguaj para se të hipnin në anije.