Kos: Në BE ka vend për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, kur ata përmbushin detyrimet dhe ne zbatojmë tonat
Komisionarja europiane për Zgjerim, Marta Kos para takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe homologëve të tyre nga Ballkani Perëndimor në Bruksel ka thënë se në Bashkimin Evropian ka vend për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ajo theksoi se të gjitha vendet kanë vend në BE, nëse përmbushin detyrimet e kërkuara.
Ajo bëri të ditur se zbatimi i Planit të Rritjes po shkon mirë dhe se në ditët në vijim do të ndahen rreth 200 milionë euro për Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në kuadër të Planit të Rritjes, ndërsa përmendi dhe Serbinë që iu bashkua vendeve tjera të rajonit në SEPA.
“Ka vend për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Zgjerimi është prioritet për Bashkimin Evropian dhe nëse kandidatët tanë përmbushin detyrimet e tyre, atëherë edhe ne duhet të përmbushim tonat — dhe ne po i përmbushim.”
“Sa i përket zbatimit të Planit të Rritjes, ai po ecën mirë dhe në ditët në vijim do të ndajmë afro 200 milionë euro për Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu po sjellim rezultate konkrete edhe kur bëhet fjalë për integrimin gradual. Siç e dini, javën e kaluar Serbia iu bashkua Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në SEPA”, tha Kos para gazetarëve.