Nuk na heshtën, ne do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund për drejtësi të vërtetë” dhe “Ndaloni së ushtruari torturë ndaj familjeve tona” – me këto porosi familjet e viktimave nga tragjedia në diskotekën “Puls” dje marshuan sërish nëpër Koçan në “Marshin e engjëjve”.
Nëna, baballarë, vëllezër, motra dhe të afërm, me fotografitë e familjarëve të humbur, porositën se nuk do të tërhiqen nga kërkesa për drejtësi, ndërsa reaguan edhe ndaj dënimeve me kusht të shqiptuara për policët që kishin kryer kontrolle në “Puls”, kishin konstatuar shkelje, por gjobat i kishin shkruar ndaj një kompanie joaktive.
Në emër të prindërve foli Aleksandar Naunov, babai i Nadica Naunovës së ndjerë, i cili mbajti një fjalim për tragjedinë ku humbën jetën 63 të rinj, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan.
“63 jetë të reja i varrosët në tokën e zezë. 223 të lënduar, një qytet i tërë i shkatërruar, fëmijë pa veshë, pa gishta, me mungesë muskujsh në duar, me trupa që do t’i bartin pasojat e këtij ferri”, tha Naunov.
Ai theksoi se familjet po e përjetojnë tragjedinë çdo ditë nga e para.
“Në gjykime shohim trupa të djegur, eshtra dhe skena që njerëzit i shohin vetëm në filma horror. Ndërsa ne këtë nuk e shohim në ekran, por e jetojmë çdo ditë”, shtoi ai.
Naunov drejtoi gishtin nga institucionet dhe policia për përgjegjësinë.
“A ishte aq e vështirë që atë natë policia të thoshte: ‘Ndizni dritat, fikni muzikën’. Vetëm ato pak fjalë do ta kishin shpëtuar Koçanin. 63 fëmijë do të ishin gjallë, në dhomat e tyre, do të na gëzonin neve prindërve”, tha ai.
Sipas tij, interesat dhe fitimi janë vendosur para jetëve njerëzore.
“Por për ato tavolina të mallkuara, rezervime, para dhe interesa, vendosën të heshtin, sepse fundjavën e ardhshme duhej t’i paguanin pijet”, tha Naunov.
Ai porositi se familjet nuk shohin drejtësi në vendimet e deritanishme gjyqësore.
“Nuk mund të flisni për drejtësi, ndërsa ndani dënime me kusht për tragjedinë me 63 jetë të shuara”, theksoi ai.
Fjalimin e përfundoi me një mesazh për institucionet dhe funksionarët.
“Ne jemi në rrugë sepse drejtësinë e shndërruat në padrejtësi. Mbajeni mend, asnjë funksion nuk zgjat përgjithmonë, asnjë pushtet nuk është i përhershëm, por turpi nga drejtësia e tradhtuar mbetet përgjithmonë”, porositi Naunov.