Mbi tre mijë shtetas maqedonas këtë mëngjes e kanë kaluar kufirin maqedono-grek në vendkalimin „Bogorodica“, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Nga MPB thonë se në të njëjtin vendkalim kufitar, deri në orën 10:00, kanë kaluar mbi 11 mijë shtetas të vendeve të tjera.
Nga pala maqedonase, shtojnë nga MPB, nuk është vërejtur bllokim në vendkalimet kufitare në pjesën juglindore të vendit dhe theksojnë se janë marrë masa duke vënë në funksion të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për të përshpejtuar rrjedhën e udhëtarëve, me zbatimin e kontrolleve të detyrueshme kufitare.
Në rrjetet sociale ndahen përvoja të ndryshme nga vendkalimet kufitare drejt Greqisë – nga kalimi i shpejtë i kufirit deri te pritjet prej rreth një ore, ku vonesat më të mëdha janë shënuar te autobusët.
Nëse shikohen kamerat në ueb-faqen e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, mund të shihet se cila është gjendja në vendkalimet kufitare për dalje nga vendi. Sipas videove nga atje, nga pala maqedonase nuk ka asnjë bllokim as në „Bogorodica“ e as në „Mexhitli“.
Komunikacioni i shtuar për dalje nga vendi përmes vendkalimeve kufitare drejt Greqisë është i pritshëm për shkak të fundjavës së zgjatur të festave. Bllokim më i gjatë në kufij vërehet edhe në fundjavat tjera, për shkak të zbatimit të rregullores EES, e cila filloi më 10 prill.
Zëdhënësi i Qeverisë greke në brifingun e djeshëm, në pyetjen e bërë nga MIA nëse do të shtyhet zbatimi i sistemit edhe për turistët ballkanas, njoftoi se rregullorja EES u jep mjete dhe mundësi të ndryshme vendeve anëtare për t’u përballur me presione eventuale në vendkalimet kufitare. Ai shtoi se Greqia do ta vlerësojë gjendjen dhe do t’i ndërmarrë masat përkatëse për t’i shërbyer numrit të shtuar të udhëtarëve dhe për të qenë në përputhje me rregullat ligjore.