Në vargjet e poetëve, në valët e liqenit dhe shijen e mollëve të Prespës u realizua një takim me shqiptarët e kësaj ane. Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum” ngaTetova bëri një vizitë të veçantë kulturore në qytetin e Resnjës, duke zhvilluar aktivitete letrare në bashkëpunim me shkollën fillore dhe gjimnazin e kësaj komune. Aktiviteti kulturor në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Oeneum në Tetovë dhe Grupin letrar të Shfk “Sllavejko Arsov“ fshati Podmoçan në Resnjë dhe Gjimnazin “Car Samoil” në Resnjë. Kjo vizitë u organizua në koordinim të ngushtë me drejtuesit e të dyja shkollave si dhe me grupet letrare të nxënësve, dhe mësimdhënësve duke krijuar një atmosferë të gjallë artistike dhe edukative. Bashkëpunim kulturor për afirmimin dhe njohjen e shkrimtarëve dhe krijuesve të rinj, grupeve letrare në shkollë të mesme e fillore me Shoqatën e Shkrimtarëve Oeneum, me krijusesit e rinj të Shoqatës. Zbulimi i talentëve të rinj krijues, kultivimi i vlerave kulturore, kreativiteti krijues ndërmjet të rinjëve si dhe përkrahje dhe mbështetje për rinjtë në pasionin e artit dhe të shkruarit si dhe afrim dhe bashkëpunim institucional mes nxënësve dhe shkrimtarëve, njëherit edhe pasurimin e fondit të bibliotekave shkollore me libra autorial, ishte qëllimi i këtij projekti kulturor.
Gjatë qëndrimit, në të dy institucionet arsimore u mbajtën orë letrare, ku shkrimtarët prezantuan krijimet e tyre dhe ndanë përvoja nga puna e tyre krijuese. Nxënësit, nga ana tjetër, kontribuan me recitime poetike, duke dëshmuar talentin dhe dashurinë për letërsinë. Këto aktivitete shërbyen si një urë lidhëse mes brezave dhe si një nxitje për zhvillimin e mëtejshëm të kulturës letrare tek të rinjtë.
Në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për bashkëpunimin dhe mikpritjen, Shoqata ndau mirënjohje për drejtoreshat e shkollave, profesorët e gjuhës amtare, si dhe për nxënësit që u dalluan me interpretimet e tyre poetike dhe për këshilltarin shqiptar në komunën e Resnjës, Blerim Besimi.
Vizita vijoi me një ndalesë në bibliotekën e qytetit të Resnjës, ku shkrimtarët e Shoqatës “Oeneum”, dhuruan libra si për bibliotekën, ashtu edhe për bibliotekat e të dy shkollave të vizituara. Ky gjest simbolik synon të pasurojë fondin librar dhe të inkurajojë leximin tek komuniteti lokal.
Ky aktivitet përbën një hap të rëndësishëm në promovimin e letërsisë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, duke dëshmuar përkushtimin e Shoqatës “Oeneum”-Tetovë në përhapjen e veprimtarisë letrare si dhe zbulimin dhe nxitjen e talenteve të rinj.



