Presidenti i La Liga, Javier Tebas, ka komentuar hapur mbi mundësinë e rikthimit të Jose Mourinho te Real Madrid, duke e cilësuar një lëvizje të tillë si pozitive për gjithë kampionatin.
Tebas theksoi se rikthimi i trajnerit portugez do të ishte i mirëpritur, duke pasur parasysh ndikimin e tij në futbollin spanjoll.
“Nëse kjo është zgjedhja e Real Madridit, do të ishte e mirë për klubin. Mourinho është gjithmonë një spektakël dhe kjo i bën mirë La Ligës,” u shpreh ai.
Real Madrid mendon për ndryshim
Në “Santiago Bernabeu” pritet një ndryshim në pankinë pas një sezoni zhgënjyes. Trajneri aktual Alvaro Arbeloa, që mori drejtimin pas largimit të Xabi Alonso në janar, pritet të largohet në fund të sezonit.

Presidenti Florentino Perez raportohet se e sheh Mourinhon si kandidatin ideal për të rikthyer stabilitetin dhe suksesin në klub.
Situata e Mourinhos te Benfica
Aktualisht, Mourinho drejton Benfica, ku u rikthye në shtator. Edhe pse ka kontratë deri në vitin 2027, ekziston një klauzolë që mundëson ndërprerjen e marrëveshjes në fund të sezonit.
Kjo e mban të hapur mundësinë për një rikthim në Madrid.

Prioritetet e trajnerit
Megjithatë, vetë Mourinho ka tentuar të ulë zërat për rikthim. Ai ka theksuar se fokusi i tij aktual është të rikthejë Benfican në UEFA Champions League.
“Objektivi im i radhës është ta çoj Benfican përsëri në Champions League,” ka deklaruar ai.
Rikthimi i mundshëm në Madrid mbetet një temë e nxehtë, por për momentin gjithçka varet nga vendimet që do të merren në fund të sezonit.