Kamçev nuk ka të drejtë të kërkojë kthimin e 1.5 milionë eurove në rastin “Reket”

Gjykata Supreme ka vendosur se biznesmeni Jordan Kamçev nuk ka të drejtë të kërkojë kompensim prej 1.5 milionë eurosh në procedurë civile për rastin “Reket”, duke vlerësuar se ai nuk mund të konsiderohet palë e dëmtuar në këtë rast.

Siç raportoi Prizma.mk, pesë gjyqtarë të Gjykatës Supreme kanë vendosur se Kamçev nuk ka bazë për të kërkuar mjetet që i ka dhënë, pasi më parë përmes avokatit të tij Aleksandar Mihajlovski kishte paraqitur kërkesë për rishikim të vendimeve të gjykatave më të ulëta që ia kishin refuzuar padinë.

Në vitin 2022, Kamçev paditi Katicë Janevën, Bojan Jovanovskin dhe Zoran Milevskin – Kiçeev, si dhe ish-Prokurorinë Speciale Publike, duke kërkuar kthimin solidar të parave që, sipas pretendimeve të tij, i kishte dhënë si ryshfet, por më pas u tërhoq nga padia kundër Milevskit.

Në arsyetimin e aktgjykimit, Gjykata Supreme thekson se paditësi është përfshirë në, siç thuhet, “marrëveshje moralisht të papranueshme” me të paditurit, me qëllim që ta lehtësojë pozitën e tij në rastin “Imperija”, për çka nuk ka të drejtë të kërkojë kthimin e mjeteve të dhëna.

– Kur të dyja palët janë të pandërgjegjshme, asnjëra prej tyre nuk mund ta rikthejë atë që është dhënë – thuhet në aktgjykim. Gjykata vlerësoi se me dhënien e parave, Kamçev ka kryer veprën penale “dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”, duke theksuar se një dëmshpërblim i mundshëm do të nënkuptonte cenim të integritetit të sistemit gjyqësor.

– Lejimi që paditësi të kompensohet do të nënkuptonte komprometim të integritetit të sistemit gjyqësor në thelb, pasi në atë mënyrë gjykata do ta shpërblente paditësin për pjesëmarrje në një marrëdhënie për të cilën i padituri i parë, e paditura e dytë dhe i padituri i tretë tashmë janë dënuar me burg – thuhet në vendim.

Gjithashtu, gjykata konstatoi se një pjesë e kërkesëpadisë që lidhet me rreth 500 mijë euro të dhëna Jovanovskit nuk është e mbështetur me prova materiale, si dhe se Kamçev nuk ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë për pagesën e pretenduar prej 1.5 milionë eurosh ndaj Janevës.

Me këtë vendim, Kamçev obligohet t’i paguajë Janevës 52 mijë denarë për shpenzimet e përgjigjes ndaj revizionit.

Rasti “Reket” më herët përfundoi me aktgjykim të formës së prerë, me të cilin i pandehuri i parë Bojan Jovanovski – Boki 13 u dënua me nëntë vite burg për veprat penale “pranim shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm” dhe “pastrim parash”, ndërsa e pandehura e dytë Katicë Janeva u dënua me shtatë vite burg për “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo