Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut: A po luajnë rolin e viktimës!

Shkruan: Afrim Tanallari

Në diskursin politik të fundit në Maqedoninë e Veriut, vihet re një tendencë e shtuar e disa partive shqiptare për ta pozicionuar veten në rolin e viktimës. Kjo qasje, e cila shpesh artikulohet përmes deklaratave publike, synon të krijojë një perceptim të padrejtësisë së vazhdueshme ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj vetë subjekteve politike që pretendojnë t’i përfaqësojnë ata.

Në thelb, narrativa e viktimizimit nuk është e re. Ajo është përdorur c’doher si mjet mobilizimit elektoral, sidomos në periudha kur mungojnë rezultatet konkrete në qeverisje ose kur rritet pakënaqësia qytetare. Duke e zhvendosur fokusin nga përgjegjësia institucionale te “padrejtësitë e jashtme”, partitë tentojnë të rikthejnë vëmendjen dhe simpatinë e elektoratit.
Megjithatë, realiteti politik sot është më kompleks. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor i rëndësishëm institucional, me përfaqësim në nivelet më të larta të pushtetit. Në këtë kontekst, retorika e viktimizimit shpesh bie ndesh me faktin se vendimmarrja nuk është më e centralizuar jashtë ndikimit të tyre. Kjo krijon një kontradiktë të dukshme: si mund të jesh njëkohësisht pjesë e pushtetit dhe viktimë e tij?

Kjo strategji mund të ketë efekt afatshkurtër, por në planin afatgjatë rrezikon të konsumojë besimin e qytetarëve. Elektorati shqiptarë gjithnjë e më shumë kërkon llogaridhënie, rezultate konkrete dhe politika zhvillimore, jo vetëm retorikë emocionale. Në këtë kuptim, përdorimi i vazhdueshëm i diskursit viktimizues mund të perceptohet si shmangie nga përgjegjësia.
Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet se sfida reale për shqiptarët ende ekzistojnë, sidomos në fusha si përfaqësimi i drejtë, zhvillimi ekonomik dhe integrimi i plotë institucional. Por dallimi qëndron në mënyrën se si këto sfida adresohen: përmes politikave konkrete dhe reformave, apo përmes retorikës që i shndërron ato në kapital politik.

A është viktimizimi një strategji e nevojshme për të mbrojtur interesat e qytetarëve, apo një mekanizëm për të maskuar mungesën e rezultateve? Përgjigjja mbetet në dorën e vetë qytetarëve, të cilët gjithnjë e më shumë po kërkojnë politikë që prodhon zgjidhje, jo justifikime.
Fatkeqësia është se edhe gjenerata e re po edukohet në këtë frymë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo