Dimitrieska-Koçoska: Takimi i parë i Komitetit të Investimeve Publike – Po vendosim mënyrë më sistematike, më transparente dhe më të organizuar për planifikimin dhe realizimin e projekteve kapitale
29 prill 2026, Shkup – Sot, në Ministrinë e Financave u mbajt takimi i parë i Komitetit të Investimeve Publike – organ ndërresorial, detyra e të cilit është që t’i shqyrtojë dhe përcaktojë prioritetet për financimin e propozimeve të projekteve të investimeve publike të pushtetit qendror. Komiteti u kryesua nga ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, ndërsa në takimin e sotëm mori pjesë dhe mbajti fjalim edhe Kryeministri Hristijan Mickoski.
“Sot, së bashku me Kryeministrin, po mbajmë takimin e parë të Komitetit të Investimeve Publike, me ç’rast po fillojmë me qasje më sistematike në planifikimin dhe menaxhimin e investimeve publike në vend. Kjo është mënyrë e re e organizimit dhe vendimmarrjes kur bëhet fjalë për projekte kapitale me vlerë mbi 5 milionë euro. Në këtë mënyrë, Qeveria dhe Ministria e Financave do të marrin vendime në mënyrë më transparente dhe të organizuar për ato projekte që janë të gatshme për investime dhe në fazën përfundimtare dhe në të njëjtën kohë, buxhetet për vitet e ardhshme do të planifikohen në mënyrë më të thjeshtësuar”, theksoi ministrja.
Ajo shtoi se qëllimi i kësaj reforme është që investimet publike të planifikohen dhe realizohen në mënyrë shumë më të përgjegjshme bazuar në kritere të qarta, realizim real dhe logjikë zhvillimore afatgjate. Siç shtoi ajo, në këtë mënyrë sigurojmë që mjetet publike të destinohen drejt projekteve që sjellin vlerën më të madhe për qytetarët dhe kontribut më të fuqishëm në rritjen ekonomike.
Ajo vlerësoi se krijimi i Komitetit paraqet hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit të menaxhimit të investimeve publike dhe konfirmon përcaktimin e Qeverisë për të krijuar sistem më të fuqishëm, më të përgjegjshëm dhe të fokusuar strategjikisht, në të cilin çdo mjet publik i investuar do të krijojë vlerë të vërtetë zhvillimore dhe cilësi më të mirë jetese për qytetarët.
Në këtë mënyrë, siç theksoi ministrja, vendoset nivel më i lartë i transparencës dhe llogaridhënies në procesin e vendimmarrjes, përkatësisht çdo projekt do t’i nënshtrohet analizës së detajuar, në mënyrë që të sigurohemi se investojmë në projekte që janë të përgatitura mirë, financiarisht të qëndrueshme dhe në përputhje me prioritetet strategjike të shtetit. Ky është hap i rëndësishëm drejt vendosjes së rendit, parashikueshmërisë dhe efikasitetit më të madh në planifikimin kapital.
Krijimi këtij Komiteti është pjesë e Agjendës së reformave të Qeverisë dhe rezulton drejtpërdrejt nga Rregullorja e re për menaxhimin e investimeve publike, një nga reformat kryesore në financat publike.
Komiteti në mbledhjen e sotme shqyrtoi listën e parë të propozuar të ideve projektuese, të cilat do të paraqesin bazën për përcaktimin e mëtejshëm të listës prioritare të investimeve publike. Vlera e vlerësuar e projekteve është 3.4 miliardë euro. Me rregulloren në fjalë u vendos detyrimi që të gjithë shfrytëzuesit buxhetorë, ndërmarrjet publike, shoqëritë aksionare në pronësi shtetërore dhe komunat t’i dorëzojnë Ministrisë së Financave iniciativat e tyre për projekte publike infrastrukturore me vlerë të vlerësuar mbi 5 milionë euro, me ç’rast për herë të parë krijohet një qasje e vetme dhe e koordinuar në shqyrtimin e investimeve të mëdha publike.

