Presidenti amerikan, Donald Trump është larguar me nxitim nga Darka e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë të shtunën në mbrëmje, pasi janë dëgjuar të shtëna me armë.
Trumpi ka thënë pas rastit se personi i armatosur me shumë armë është kapur nga Shërbimi Sekret.
Ndërkaq një oficer i Shërbimit Sekret është qëlluar nga një distancë shumë e afërt, por është shpëtuar nga jeleku i tij antiplumb.
Presidenti ka ndarë një fotografi të personit të dyshuar për të shtënat dhe pamje të asaj që duket të jetë fillimi i të shtënave.
I dyshuari është identifikuar si Cole Tomas Allen, 31 vjeç, nga Torrance, Kaliforni, raportojnë mediat amerikane dhe ai do të dalë para gjykatës të hënën.
Mediat kanë publikuar pamje të momentit kur dëgjohen të shtënat dhe kaosit që krijohet teksa Shërbimi Sekret largon shpejt nga aty Trumpin dhe Zonjën e Parë, Melania Trump.
Trumpi u ka thënë gazetarëve pas ngjarjes se “nuk mund të imagjinonte shumë profesione më të rrezikshme”, ndërsa reflektonte mbi disa përpjekje për të shtëna afër tij gjatë viteve të fundit.
I pyetur nga gazetarërt se cili ishte mesazhi i tij për botën pas këtij sulmi, ai ka thënë se asnjë vend në botë nuk është imun ndaj dhunës politike.