Evropa ka karburant avionësh edhe për vetëm gjashtë javë, alarmon kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë
Evropa mund të ketë karburant për avionët vetëm edhe për gjashtë javë, deklaroi kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, në një intervistë për Associated Press, duke paralajmëruar për anulime të mundshme të fluturimeve së shpejti nëse furnizimi me naftë mbetet i bllokuar nga lufta në Iran.
Birol pikturoi një tablo të zymtë të pasojave globale të asaj që ai e quajti kriza më e madhe energjetike me të cilën jemi përballur ndonjëherë në histori, e cila buron nga ndërprerja e naftës, gazit dhe rezervave të tjera jetike përmes Ngushticës së Hormuzit. Ndikimi i drejtpërdrejtë do të jetë rritja e çmimeve të benzinës, gazit dhe energjisë elektrike, ndërsa dhimbja ekonomike do të ndihet në mënyrë të pabarabartë, ku vende si Japonia, Koreja, India, Kina, Pakistani dhe Bangladeshi janë në vijën e parë të krizës, e ndjekur më pas nga Evropa dhe Amerika.
Nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet, ai parashikon se shumë shpejt do të dëgjojmë lajme për anulime të fluturimeve midis qyteteve të ndryshme për shkak të mungesës së karburantit. Birol theksoi se nëse nuk gjendet një zgjidhje deri në fund të majit, produktet e naftës, dizeli dhe gazi mund të mungojnë plotësisht në tregje, duke i çuar ekonomitë më të dobëta drejt inflacionit të lartë dhe recesionit. Gjithashtu, ai u shpreh kundër sistemit të taksave që Irani po u vendos anijeve për të kaluar, duke paralajmëruar se ky veprim rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm që mund të aplikohet edhe në pika të tjera strategjike si Ngushtica e Malakës në Azi.