Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Tiranës e intensifikojnë bashkëpunimin për cilësi dhe inovacion në arsimin e lartë
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, ku merr pjesë në punimet e Samitit IV të Diasporës, zhvilloi një takim pune me Rektorin e Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha.
Takimi u mbajt në një atmosferë miqësore, duke reflektuar vullnetin e ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy universiteteve publike shqiptare. Gjatë bisedës, rektorët diskutuan gjerësisht mbi zhvillimet më të fundit në arsimin e lartë, me theks të veçantë për reformat, rritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe avancimin e kërkimit shkencor.
Ky takim shërbeu gjithashtu si një hap konkret drejt implementimit të Marrëveshjes për bashkëpunim të nënshkruar javë më parë ndërmjet dy institucioneve, duke përcaktuar fushat kryesore dhe hapat e qartë për realizimin e saj në praktikë. Në përfundim të takimit, u theksua rëndësia e forcimit të lidhjeve ndërmjet universiteteve shqiptare si faktorët kyç për zhvillimin e arsimit të lartë në rajon.

