Pavarësia e gjyqësorit mbetet një ndër pengesat kryesore të Serbisë në rrugën drejt BE-së. Dëshmitë e gjyqtarëve dhe prokurorëve zbulojnë presion politik, ndërhyrje në proceset gjyqësore dhe një klimë presioni ndaj tyre.
Pavarësia e gjyqësorit mbetet një ndër pengesat kryesore të Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.Dëshmitë e gjyqtarëve dhe prokurorëve zbulojnë presion politik, ndërhyrje në proceset gjyqësore dhe një klimë gjithnjë e më të tensionuar mes institucioneve të drejtësisë dhe pushtetit.
Shqetësimet lidhur me pavarësinë e gjyqësorit në Serbi vazhdojnë të jenë një çështje qendrore në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Raportet e institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare theksojnë vazhdimisht ndikimin politik mbi sistemin e drejtësisë, presionin ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe dobësitë strukturore të sistemit.
Gjyqtarja Snezhana Ivkoviq përshkruan forma të ndryshme të ndërhyrjes politike në punën e gjyqësorit. Sipas saj, në rastet kur vendimet e një gjyqtari nuk përputhen me interesat e pushtetit ekzekutiv, çështjet shpesh rishpërndahen.
„Nëse dikush beson se gjyqtarët në një çështje po shkojnë në një drejtim që nuk i përshtatet pushtetit ekzekutiv, çështja thjesht u merret dhe i caktohet një gjyqtari tjetër në të njëjtin departament”, shpjegon ajo.
Një formë tjetër presioni, sipas saj, është transferimi i papritur: „Pasi ke gjykuar për 20 vjet në një departament, mund të transferohesh brenda natës në një departament krejtësisht të ri.”
Ndryshimet ligjore ngjallin shqetësimin e Komisionit të BE-së
Kontradiktat kanë tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe nxitën një vizitë në Serbi nga Komisioni i Venecias, organi këshillimor i Këshillit të Evropës për çështjet kushtetuese.
Bashkimi Evropian ka shprehur gjithashtu shqetësim të thellë për ligjet.
Guillaume Mercier, zëdhënës i Komisionit Europian thekson: „Komisioni pret që zbatimi i këtyre ligjeve të pezullohet derisa Komisioni i Venecias të japë mendimin e tij. Pasi të jepet ky mendim, ne presim që këto ligje të rishikohen në përputhje me rrethanat. Përveç kësaj, Komisioni Evropian vazhdon të shqyrtojë nëse Serbia ende i plotëson kushtet për pagesat sipas instrumenteve financiare të BE-së.”
Mes kritikave në rritje, Kryetarja e Parlamentit Serb Ana Brnabiç udhëtoi për në Bruksel për bisedime me zyrtarët e BE-së. Ajo pranoi mangësitë procedurale në miratimin e ligjeve, por tha se ato nuk mund të pezullohen. “Ligjet po zbatohen. Nuk e di se si dikush pret që ne t’i pezullojmë ligjet. Unë nuk kam aftësinë të kthehem në të kaluarën dhe të ndryshoj gjërat. Dhe nuk jam as e sigurt nëse do të doja, por kjo është një çështje tjetër”, thotë Brnabiç.
Kritikët thonë se ndikimi i ligjeve të Mrdicit është tashmë i dukshëm. Në disa raste të profilit të lartë, prokurorë me përvojë janë zëvendësuar, duke ngritur shqetësime në lidhje me drejtësinë dhe të ardhmen e hetimeve që kanë vazhduar prej vitesh dhe sundimin e ligjit në Serbi./DW