Amerikanët arrijnë në Pakistan për bisedime “vendimtare” me Iranin

Bisedimet për paqe mes SHBA-së dhe Iranit pritet të nisin sot në Islamabad.

Delegacioni iranian ka arritur në Pakistan, i udhëhequr nga kryetari i parlamentit dhe ministri i Jashtëm i vendit.

Në minutat e fundit, burime nga vendi kanë raportuar se edhe delegacioni amerikan – i kryesuar nga nënpresidenti JD Vance – ka zbritur.

Para nisjes së bisedimeve, kryetari i parlamentit të Iranit paraqiti dy kushte për një marrëveshje – një armëpushim në Liban; lirimin e aseteve iraniane të ngrira.

Sipas palës iraniane, të dyja këto masa ishin pjesë e marrëveshjes fillestare të arritur më herët gjatë kësaj jave.

Nga ana e tij, presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Irani nuk ka asnjë kartë në tryezën e negociatave dhe këmbënguli se SHBA-ja do ta rihapë Ngushticën e Hormuzit “shumë shpejt”.

Ai shtoi gjithashtu se pengimi i Iranit për të siguruar armë bërthamore përbën “99 për qind të çështjes”.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, në një fjalim drejtuar kombit mbrëmjen e kaluar, theksoi rëndësinë e këtyre bisedimeve “armëpushimi i përhershëm është faza e ardhshme e vështirë, që kërkon zgjidhjen e çështjeve komplekse përmes negociatave. Kjo është, siç thuhet në anglisht, një fazë vendimtare”.

Po Libani?

Ndërkohë, bisedimet për armëpushim mes Libanit dhe Izraelit pritet të zhvillohen në SHBA javën e ardhshme.

Pushtimi dhe bombardimet e Izraelit në Liban kanë shtuar presionin mbi armëpushimin dhe mbi bisedimet e sotme.

Numri i viktimave nga sulmet izraelite në Liban më herët gjatë kësaj jave ka arritur në 357, sipas ministrisë së shëndetësisë së vendit. /Telegrafi

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo