E VËRTETA DHE MITI SERB MBI RUSINË

Shkruan: Merxhan Jakupi
Nga fillimi i invazionit rus, më 24 shkurt 2022 ndaj Ukrainës e deri në fund të vitit 2025, në Serbi janë regjistruar afërsisht 100 mijë rusë të ardhur. Shumica e tyre janë larguar nga represaljet, dhuna dhe për të mos u rekrutuar, për të mos shkuar në betejat dhe frontet e luftës. Të gjithë këta individë nuk janë refugjatë dhe nuk kanë status politik. Shumica e tyre janë kundër regjimit despotik, totalitar dhe autoritar. Shumë prej tyre janë edhe disidentë, por këta heretikë të heshtur kanë frikë të merren me aktivitete politike kundër regjimit të Kremlinit. Pasiviteti dhe marginalizimi i tyre vjen nga frika dhe përndjekja nga dora e agjentëve dhe spiunëve rusë që operojnë nëpër Serbi dhe Republikën Srpska. Pjesa më e madhe e tyre merret me biznese, kurse të rinjtë me profesione të larta punojnë nëpër firma të Serbisë dhe kompani të huaja.
Në Serbi ka mbi 20 mijë ukrainas. Pjesa më e madhe janë refugjatë, nën mbikëqyrjen e Komesariatit të OKB-së. Një pjesë vijnë për disa muaj dhe më pas shkojnë në shtete perëndimore. Këta dy popuj sllavë, rusët dhe ukrainasit, kanë lënë trojet, shtëpitë dhe pronat, duke ikur nga i njëjti regjim despotik dhe diktatorial.
Refugjatët ukrainas në Serbi janë “persona non grata”. Mbi 70 përqind e serbëve janë pro-rusë. Për pjesën e putinofilëve dhe rusofilëve, edhe rusët që kanë ikur nga golgota dhe Cari rus konsiderohen tradhtarë, kolaboracionistë dhe spiunë të Perëndimit. Një organizatë për të drejtat e refugjatëve, ka bërë kritika të ashpra ndaj qeverisë për shkeljen e të drejtave të refugjatëve. Për shembull, nëpër mure ka pankarta dhe slogane të Vladimir Putinit.
Në dy dekadat e fundit, Vladimir Putin është shndërruar në idol, mit, ikonë dhe kult për një pjesë të madhe tradicionale e rurale të shoqërisë serbe. Edhe kisha ortodokse serbe është kryesisht proruse dhe putinofile. Serbët, si shoqëri, janë të ndarë në dy taborë: pjesa më e vogël qytetare, urbane dhe liberale është proevropiane, properëndimore dhe transatlantike.
Në një lagje të Novi Sadit, ku shekuj me radhë ekziston një minoritet ukrainas, në disa mure janë vendosur pankarta të presidentit ukrainas, Vladimir Zelensky. Policia serbe dhe agjentët rusë kanë burgosur personat që kanë vendosur pankarta dhe slogane të tilla. Matrica ideologjike dhe paradigma proruse e qeverisë së Aleksandar Vuçiqit bashkëpunon me agjentët dhe spiunët e Putinit. Të gjithë refugjatët ukrainas dhe disidentët rusë që tentojnë të organizojnë protesta kundër Kremlinit janë të përndjekur ose dëbohen nga Serbia.
Narativa e matricës ideologjike të serbëve, ngritja e mitit të diktatorit dhe despotit rus, Vladimir Putin, nga shumica e serbëve në Serbi, në Republikën Srpska dhe në veri të Kosovës, është një mostër dhe prototip i ngjashëm me matricën ideologjike të gjysmës së kombit shqiptar në ish-Federatën Jugosllave. Shumica e shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë Perëndimore dhe Luginës së Preshevës e mirëprisnin komunizmin dhe diktatorin më bizarr të kampit komunist, Enver Hoxha, duke e shndërruar në mit, idol dhe kult deri në shembjen e komunizmit.
Ky mit ideologjik ishte një utopi dhe një fantazmë. Sikur të bashkohej gjysma e kombit shqiptar me shtetin amë, Shqipërinë, nën bastionin stalinist të diktatorit Enver Hoxha, është e sigurt se kjo gjysmë e kombit, edhe pse kishte jetuar në kushte të pabarabarta, e diskriminuar dhe e shtypur nga popujt sllavë, asnjëherë nuk do të ishte pajtuar të jetonte nën një diktaturë të tillë si ajo e Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës.
Sikur të marrim si shembull që Serbia të bëhej një guvernë (provincë) ruse, t’i bashkëngjitej “vëllait të madh” dhe “nënës Rusi”, nën prijësin e tyre të dashur, diktatorit, despotit dhe carit Vladimir Putin, po ashtu edhe serbët nuk do të pajtoheshin të jetonin nën regjimin dhe diktaturën e Putinit. Serbët nuk kanë jetuar nën sundimin e carëve rusë, as nën Perandorinë e Kuqe staliniste dhe as nën regjimin autoritar, totalitar dhe autokrat të diktatorit Vladimir Putin.
Analisti, diplomati dhe ish-ambasadori sreb në Moskë, Sreçko Gjukiq, shkruan në një portal serb se popujt e Lindjes dhe të Ballkanit, të gjithë prijësit dhe diktatorët e tyre i shndërrojnë në mite, idole dhe kulte. Në Federatën Jugosllave ishte Tito, pastaj erdhi Sllobodan Millosheviq, të cilin shumica e popullit e shndërroi në mit, idol dhe kult. Paradoksi, absurdi dhe ironia te serbët qëndron në faktin se një popull, në mënyrë imagjinare dhe utopike, i shndërron edhe prijësit dhe liderët e një shteti të huaj në mite, idole, ikona dhe kulte. Shumica e serbëve në Serbi, në Republikën Srpska të Bosnjës dhe në veri të Kosovës, diktatorin dhe carin rus e kanë ngritur në piedestal, si mit, idol dhe ikonë.
Diplomati serb Gjukiq, me një dozë sarkazme dhe eufemizmi, tha se në rini kishte lexuar romanet e Karl Majos për Perëndimin e Egër në Amerikë. Autori i romaneve nuk kishte qenë dhe nuk kishte udhëtuar përtej Atlantikut asnjëherë, por personazhe e tij të panjohur dhe të imagjinuara janë si tek serbët, të cilët në mënyrë utopike kanë formuar mite të rreme, gjoja se Rusia është shndërruar në një shtet parajs nën prijësin e tyre dhe carin e dashur, Vladimir Putin.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo