Ndalen sulmet ndaj Iranit, Trump e njofton zyrtarisht: Armëpushim 2-javor dhe bazë reale për negociata
Presidenti amerikan Donald Trump tha se është pajtuar për një armëpushim dyjavor me Iranin, më pak se dy orë përpara skadimit të afatit të tij për ta shkatërruar “një civilizim të tërë”, raporton CNN.
Trump tha se marrëveshja për armëpushim u bë me kusht që Irani të pranojë ta rihapë Ngushticën e rëndësishme të Hormuzit.
“Bazuar në bisedat me Kryeministrin Shehbaz Sharif dhe Feldmarshallin Asim Munir, të Pakistanit, dhe ku ata kërkuan që unë ta ndal forcën shkatërruese që po dërgohej sonte drejt Iranit, dhe me kusht që Republika Islamike e Iranit të pranojë HAPJEN E PLOTË, TË MENJËHERSHME dhe TË SIGURT të Ngushticës së Hormuzit, unë pranoj ta pezulloj bombardimin dhe sulmin ndaj Iranit për një periudhë prej dy javësh. Ky do të jetë një ARMËPUSHIM DYPALËSH!” postoi Trump në Truth Social.
“Arsyeja për ta bërë këtë është se ne tashmë kemi përmbushur dhe tejkaluar të gjitha objektivat ushtarake dhe jemi shumë përpara drejt një Marrëveshjeje përfundimtare lidhur me PAQEN afatgjatë me Iranin dhe PAQEN në Lindjen e Mesme”, shkroi Trump.
“Ne morëm një propozim me 10 pika nga Irani dhe besojmë se është një bazë e zbatueshme mbi të cilën mund të negociohet. Pothuajse të gjitha pikat e ndryshme të mosmarrëveshjeve të mëparshme janë rënë dakord midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por një periudhë dyjavore do të lejojë që Marrëveshja të finalizohet dhe të përmbyllet. Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si President, dhe gjithashtu duke përfaqësuar vendet e Lindjes së Mesme, është një nder që ky problem afatgjatë të jetë pranë zgjidhjes”, shtoi ai.