Xhamitë në diasporë mes paragjykimit dhe realitetit

Nga: Mr. Abaz Islami

Nuk është e lehtë të qëndrosh indiferent ndaj paragjykimeve dhe qëndrimeve tendencioze me të cilat përballen xhamitë në diasporë. Debati i fundit mbi Qendrën Islame në St. Gallen është vetëm një shpërfaqje e radhës e kësaj fryme, ku institucioni fetar shihet me dyshim, e shpeshherë edhe me frikë të pajustifikuar. Po i shkruaj këto rreshta duke u mbështetur në përvojën time shumëvjeçare si imam në Zvicër, me dëshirën për të ofruar një pasqyrë më të qartë mbi një realitet që, mjerisht, shpesh keqkuptohet ose interpretohet jashtë kontekstit të tij jetësor.
Kohët e fundit, dëgjojmë jo rrallë pyetje që në dukje ngjajnë legjitime, por që fshehin një mosnjohje të thellë të terrenit: “Pse ndërtohet një xhami dhe jo një shkollë? Pse një qendër kulti dhe jo një akademi apo institucion shkencor?” Madje, habitja shkon deri në llogaritë financiare: “Si u mblodhën 15 milionë euro për një xhami?” Këto qëndrime kritike nuk burojnë gjithmonë nga qëllimi i keq apo nga armiqësia ndaj fesë, por, janë pasojë e një perceptimi të njëanshëm, që e sheh xhaminë vetëm si një godinë faljeje të izoluar nga koha. Ata që pyesin “pse jo shkolla”, harrojnë se në rrethanat e diasporës, xhamia ka marrë mbi vete barrën e një “shkolle paralele” të identitetit. Ndryshe nga institucionet shtetërore që financohen nga taksat, këto qendra ngrihen mbi djersën dhe vullnetin e lirë të besimtarëve. 15 milionë eurot nuk janë thjesht numra; ato janë dëshmi e një sakrifice kolektive të një komuniteti që, në mungesë të mbështetjes institucionale nga vendlindja, investon kursimet e veta për të siguruar një hapësirë ku fëmijët e tyre nuk do ta harrojnë emrin, gjuhën dhe etikën e tyre.
Prandaj, e shoh të nevojshme të sqaroj disa të vërteta që shpesh anashkalohen. U drejtohem sidomos intelektualëve dhe akademikëve tanë: përpara se të analizoni koston e gurëve dhe të mureve, analizoni koston e humbjes së një brezi nëse ky komunitet nuk do të kishte një qendër graviteti shpirtëror. Xhamia nuk vjen për të zëvendësuar akademinë, por për të përgatitur individin që nesër do t’i shërbejë asaj akademie me integritet dhe vetëdije kombëtare.

Xhamia si institucion i mbijetesës kombëtare

Xhamia në diasporë nuk duhet parë thjesht si një objekt kulti apo një hapësirë e izoluar për rituale fetare. Ajo është, në radhë të parë, një laborator i gjallë social ku formohen brezat dhe ku edukohet shoqëria me parime të shëndosha morale. Fëmijët shqiptarë që rriten në Perëndim gjenden sot përballë një presioni të dyfishtë: domosdoshmërisë për t’u integruar në shoqëritë pritëse dhe rrezikut real të asimilimit, që çon në tjetërsimin e plotë dhe humbjen e identitetit kombëtar.
Ky alarm nuk është teorik, atë po e përjetojnë sot familjet tona shqiptare. Gjuha shqipe, për të cilën shpesh ngrihet zëri nëpër tubime vetëm në forma simbolike apo nostalgjike, në praktikë po pëson një zbehje dramatike. Po shohim me dhimbje se si traditat tona po dobësohen dhe struktura familjare (dikur kështjella e pathyeshme e shqiptarit) po bëhet gjithnjë e më e brishtë nën ndikimin e rrymave globale.
Në këtë kontekst, roli i xhamisë (sikundër edhe i kishave shqiptare në diasporën tonë) bëhet jetik dhe i pazëvendësueshëm. Këto institucione shërbejnë si ura lidhëse mes brezave, duke parandaluar greminën e komunikimit mes prindërve dhe fëmijëve. Përveç udhëzimit fetar, në këto hapësira kultivohet përgjegjësia qytetare, respekti për tjetrin dhe, mbi të gjitha, ndjenja e përkatësisë.
Xhamia dhe Kisha shqiptare janë sot “anijet e shpëtimit” që ndihmojnë në krijimin e individëve të shëndoshë. Ato u japin të rinjve tanë një “busull” morale që i mbron nga devijimet shoqërore, duke u mësuar se si të jenë qytetarë të shkëlqyer të vendeve ku jetojnë, pa humbur asnjë germë nga identiteti i tyre burimor. Integrimi pa asimilim është misioni i vërtetë i këtyre qendrave; ato e bëjnë shqiptarin më të fortë duke i kujtuar se kush është, që ai të mund të kontribuojë më mirë aty ku është.

Xhamia si shtyllë e qëndresës dhe solidaritetit kombëtar

Po hafrrohet fakti, mbase me dashje ose nga një amnezi e pashpjegueshme kolektive, se xhamia në diasporë ka qenë historikisht pika ku janë ruajtur dhe kultivuar vlerat tona më të larta njerëzore e kombëtare. Ajo nuk ka funksionuar kurrë si një ishull i izoluar teologjik, por si një qendër e gjallë e atdhedashurisë.
Nëse kthehemi pas në kohë, në ato periudha të errëta dhe vendimtare të viteve 1998-2001, kur kombi ynë gjendej në udhëkryqin e rrezikut ekzistencial, sytë e të gjithëve, pa përjashtim, u kthyen me shpresë nga diaspora. Dhe këtu shtrohet pyetja që historia e ka dhënë tashmë përgjigjen: Ku ishte vatra e vërtetë e organizimit? Ku u ngritën shtabet e para të solidaritetit, ku u bë grumbullimi i ndihmave jetike dhe ku ndodhi mobilizimi i madh shpirtëror që i dha zemër rezistencës sonë?
Përgjigjja është e prerë: pikërisht nëpër xhamitë tona. Aty, në mungesë të ambasadave apo institucioneve të mirëfillta shtetërore të kohës, xhamitë u shndërruan në “konsullata” të dhimbjes dhe shpresës shqiptare. Aty u ndërtua ajo infrastrukturë e palëkundur e solidaritetit, ku besimtarët tanë, me një bujari që tejkalonte çdo parashikim, kontribuan në sukseset tona kolektive. Xhamia ishte vendi ku buka e mërgimtarit ndahej me luftëtarin në front dhe me refugjatin në kampet e rënda të mbijetesës.
Debatet e sotme, shpeshherë sterile dhe paragjykuese, lindin kryesisht nga një mosnjohje e thellë e jetës organizative dhe shpirtërore të shqiptarëve në Zvicër e më gjerë, në Gjermani, Itali e Austri, në Suedi e Turqi, në Australi e Amerikë. Kritikët shohin vetëm grandiozitetin e godinave, por nuk shohin rrjetin e padukshëm të sigurisë sociale që këto qendra ofrojnë.
Ne nuk duhet të shqetësohemi kur ngrihen xhami që frymëzojnë paqe, edukim dhe vetëdije; përkundrazi, alarmi duhet të bjerë nëse ato do të mungonin. Vakumi që do të lihej pas në shpirtrat e fëmijëve tanë dhe në organizimin tonë komunitar do të ishte i pariparueshëm. Pa këto qendra graviteti, identiteti ynë në diasporë do të thërrmohej nën presionin e asimilimit, duke humbur atë busull që na mban të lidhur me rrënjët, me njëri-tjetrin dhe me të ardhmen tonë si komb. Xhamia ka qenë dhe mbetet garancia që, edhe larg atdheut, ne të mbetemi një trup i vetëm.

Xhamia si akademi e vlerave dhe e gjuhës
Xhamitë tona në diasporë janë shndërruar natyrshëm në qendra multifunksionale, duke e tejkaluar funksionin e tyre parësor liturgjik. Ato sot operojnë si institucione komplekse sociale, ku muret nuk shërbejnë vetëm për të rrethuar një hapësirë faljeje, por për të mbajtur gjallë një sistem të tërë edukativ. Në shumë prej këtyre qendrave, nën zhurmën e metropoleve europiane, operojnë klasa mësimore ku dëgjohet bukuria e tingujve të gjuhës shqipe. Programet për mësimin e gjuhës amtare nuk janë thjesht kurse gjuhësore; ato janë akte të mirëfillta të mbijetesës kulturore, ku fëmijët tanë mësojnë të shkruajnë e të lexojnë gjuhën e nënës, atë gjuhë që rrezikon të tretet në rrjedhën e përditshmërisë së huaj.
Nëpër xhamitë tona, me vetëfinancim e me plot vullnet, po trajtohen tema thelbësore që prekin palcën e ekzistencës sonë: rëndësia e shenjtë e familjes, integriteti i martesës, lavdia dhe dhimbja e historisë sonë kombëtare, si dhe kodet etike që na identifikojnë si popull. Fëmijët që frekuentojnë rregullisht xhaminë, jo vetëm që arrijnë ta ruajnë e ta flasin shqipen me dinjitet, por ndërtojnë brenda vetes një vetëdije të shëndoshë e të balancuar. Ata nuk rriten me kompleksin e “të huajit”, por me krenarinë legjitime për origjinën e tyre, duke kuptuar se të jesh besimtar i mirë do të thotë, së pari, të jesh njeri me rrënjë dhe mirënjohës ndaj trashëgimisë sate.
Çka po bëjnë shtetet tona për diasporën e vet anekënd botës? As çerekun e çerekut të asaj që po e bëjnë pikërisht xhamitë tona!
Në këtë mision të madh, teologët dhe predikuesit tanë nuk janë thjesht udhëheqës fetarë; ata janë gardianë të palëkundur të një kauze të shenjtë kombëtare. Ata punojnë me mish e me shpirt për t’ia përcjellë këtë dritë të trashëgimisë brezit të ardhshëm, shpesh në kushte të vështira dhe pa asnjë mbështetje institucionale nga shtetet amë. Ata janë edukatorët që, pas faljes, ulen me të rinjtë për t’u folur për Besën, për Nënë Terezën, për Skënderbeun dhe për vlerat universale që e lartësojnë njeriun. Nëse intelektualët tanë do të angazhoheshin dhe do të iniconin themelimin e ndonjë qendre të fuqishme për art dhe kulturë kombetare, bazën materiale dhe buxhetin fillestar prej miliona e miliona eurosh do ta siguronin pikërisht nëpër këto xhami dhe nga ai xhemat shqiptar që i frekuenton ato.
Edhe pse sot, nga distanca e zyrave apo kolltuqeve të kritikës, mund të dëgjohen zëra skeptikë apo paragjykues, jam i bindur se koha është gjykatësi më i drejtë. E ardhmja do të dëshmojë me fakte të pamohueshme për përkushtimin heroik të imamëve dhe xhemateve tona. Kur nesër të shohim intelektualë, mjekë, inxhinierë e qytetarë të devotshëm në Europë, të cilët nuk e kanë harruar gjuhën shqipe dhe që shkëlqejnë me moralin e tyre, atëherë do të kuptohet vlera e pazëvendësueshme e këtyre qendrave që sot, pa të drejtë, shigjetohen me dyshim.

Drejt një uniteti mes dijes dhe besimit

Në diskursin tonë publik, në formë provokimi apo mosbesimi, po shtrohet edhe kjo pyetje: Pse investohet te xhamia dhe jo te shkolla apo akademia? Përgjigjja është sa e thjeshtë, aq edhe monumentale: xhamia nuk ka qenë kurrë kundërshtare e dijes apo e institucioneve shkencore. Përkundrazi, misioni i saj i vërtetë fillon pikërisht me urdhrin e parë hyjnor “Lexo!”. Ajo formon mendjen, disiplinën dhe bindjen e besimtarit që të arsimohet, të zhvillohet dhe të kontribuojë me mish e me shpirt për popullin e tij.
Xhamia në diasporë është shtylla ku mbështetet një trinom i pandashëm: feja, gjuha dhe kultura. Ajo nuk mjaftohet me ritualin, por thërret vazhdimisht në ngritjen e vetëdijes intelektuale. Një besimtar i ndriçuar është një qytetar që kërkon dhe mbështet themelimin e shkollave, spitaleve dhe institucioneve nacionale shqiptare. Historia jonë ka treguar se hoxhallarët dhe klerikët tanë ishin të parët që hapën dritaret e gjuhës shqipe kur ato ishin të mallkuara. Prandaj, investimi në xhami është, në thelb, një investim në “brumin” njerëzor që do të mbushë nesër bankat e universiteteve dhe zyrat e shtetit me njerëz me integritet moral.
Të llogaritësh veten intelektual apo akademik në shoqërinë e sotme nuk mjafton vetëm duke prodhuar zhurmë sterile apo duke ushqyer paragjykime nëpër portale. Intelektualizmi i vërtetë kërkon pjekuri, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, një angazhim të sinqertë për të kuptuar mjedisin dhe nevojat ekzistenciale të shoqërisë. Një intelektual që nuk e kupton peshën e shtëpisë shpirtërore për një mërgimtar që jeton nën presionin e asimilimit, ka dështuar në misionin e tij të parë: kuptimin e njeriut të vet.
Në fund, as fjalët e bukura dhe as kritikat e hidhura nuk mbeten; janë veprat ato që flasin në gjuhën e amshimit. Sot, vija ndarëse është e qartë: në njërën anë janë ata që kontribuojnë realisht për të ardhmen e këtij populli në terren, duke ndërtuar qendra ku flitet shqip dhe ku edukohet rinia dhe, në anën tjetër, janë ata që shfaqen vetëm për të atakuar vullnetin e lirë të një komuniteti që, me djersën e ballit, ndërton kështjellat e veta shpirtërore.
Le ta themi me zë të lartë dhe pa ekuivoke: xhamitë në diasporë nuk janë problemi. Ato nuk kanë qenë kurrë pengesë për progresin, por përkundrazi, kanë shërbyer si motorë të qëndresës sonë. Ato gjithmonë kanë qenë, janë dhe do të mbeten një pjesë thelbësore e zgjidhjes dhe garancia e vetme që emri shqiptar do të dëgjohet krenar edhe pas shumë brezave në zemër të Evropës.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo