Chelsea po rikthen në tryezë një objektiv të vjetër për afatin kalimtar të verës, duke synuar transferimin e mbrojtësit francez Jules Kounde, i cili aktualisht është pjesë e Barcelonës.
Interesimi i klubit londinez për Kounde nuk është i ri, pasi daton që nga viti 2021, kur “Blutë” tentuan ta transferonin nga Sevilla, përpara se ai të përfundonte në “Camp Nou” për rreth 50 milionë euro.
Drejtuesit e Chelseat e shohin mbrojtësin francez si një përforcim kyç për repartin defensiv, në kuadër të ambicies për të rritur nivelin konkurrues të skuadrës.
Pas disa sezonesh rindërtimi, klubi synon të afrojë lojtarë që ndërthurin përvojën me cilësinë dhe që kanë dëshmuar veten në nivele të larta të futbollit evropian. Profili i Kounde, i cili mund të luajë si në qendër të mbrojtjes ashtu edhe në krah, konsiderohet ideal për kërkesat e ekipit.
Megjithatë, operacioni pritet të jetë kompleks, pavarësisht formës së mirë të lojtarit nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick, situata financiare e Barcelonës mund ta detyrojë klubin të shqyrtojë oferta të rëndësishme.
Një shitje e mundshme e Kounde do t’i sillte klubit katalanas të ardhura të konsiderueshme, të nevojshme për balancimin e financave dhe regjistrimin e lojtarëve të tjerë.
Nga ana tjetër, Barcelona nuk pritet të bëjë lëshime në aspektin financiar. Burime pranë klubit sugjerojnë se drejtuesit, të udhëhequr nga presidenti Joan Laporta, do të kërkojnë një shumë që varion nga 65 deri në 70 milionë euro për kartonin e mbrojtësit francez.
Kounde është i lidhur me Barcelonën me kontratë deri në vitin 2030, çka i jep një pozicion të qëndrueshëm në afain kalimtar. Megjithatë, një kalim në Ligën Premier mbetet një sfidë joshëse për çdo futbollist, për shkak të intensitetit dhe nivelit të lartë të konkurrencës.
Chelsea beson se projekti i tij sportiv dhe investimet e vazhdueshme në skuadër mund të bindin lojtarin dhe rrethin e tij për një transferim në Londër.
Performancat e Kounde në Spanjë, ku ka grumbulluar mbi 180 ndeshje zyrtare dhe ka kontribuar edhe në fazën ofensive, e mbështesin idenë e një investimi të madh nga ana e klubit anglez.
E ardhmja e mbrojtësit francez mbetet e hapur, ndërsa Chelsea përgatitet për një tjetër tentativë serioze për ta transferuar atë.
Negociatat pritet të jenë të gjata dhe të vështira, duke pasur parasysh kërkesat e larta financiare të Barcelonës.