Për të mos e mohuar vetveten

Bashkim Aliu

Për këto rreshta më nxiti shkrimi i Enver Robellit “15 milionë franga për një xhami, jo për integrim e arsimim, i cili – mbase nuk është për herë të parë në këtë drejtim – kërkon kritikë, por më shumë për të shpalosur një qasje stigmatizuese sesa një mendim kritik iluminues ndaj prioriteteve të komunitetit shqiptar në Zvicër.
Të jesh kritik ndaj disa veprimeve apo të kesh mendim ndryshe nuk është aspak problem. Megjithatë, diskursi që ndërtohet përmes formulimeve stigmatizuese, paragjykuese dhe krahasimeve të pasakta, na çon në përfundimin se nuk kemi të bëjmë me një analizë të mirëfilltë, ngase mungojnë elementet thelbësore të analizës shkencore dhe fryma e mendimit kritik të iluminuar. Përkundrazi, ajo që thurret në disa rreshta si koment ndaj lajmit të gazetës zvicerane “Blic” duket më shumë si një reagim i nxitur nga një siklet i brendshëm, i ushqyer nga një mentalitet kundërshtues fetar, pa përjashtuar edhe mundësinë e një qëndrimi islamofob, i cili nuk është i panjohur në proveniencën laike shqiptare.
Këtë do të përpiqem ta argumentoj përmes vetë citateve nga shkrimi i Enver Robellit, çka e bën të qartë se ai bie në kundërshtim me vetveten si mbështetës i fjalës së lire, vlerave demokratike dhe lirisë së besimit, përmes asaj që ka plasuar në hapësirën mediatike, e jo për shkak të ndonjë qëndrimi armiqësor apo urrejtjeje ndaj tij.
Ai në këtë shkrim shprehet tekstualisht: “Rreth 89 xhami e quajnë veten xhami shqiptare”. Të shprehesh kështu për qendrat kulturore islame të cilat i kanë ndërtuar shqiptarët me mundin e tyre, është akt i shëmtuar dhe mohim i djersës, mundit dhe ushtrimit të lirisë fetare të komunitetit etnik të cilit i përket edhe ti. Kjo mënyrë e shprehjes ngërthen mohim të të qenit të këtyre qendrave të ndërtuara prej shqiptarëve, pasi kjo formë e shprehjes aludon se ato nuk janë të tilla, por kështu e quajnë veten. Kjo është shumë e ulët për një person – që sipas vokabullarit që ai ka pëdorur do të thosha – që e quan veten intelektual. Qendrat kulturore islame të mërgatës shqiptare janë autentike shqiptare, të ndërtuara nga komunitetit shqiptar në Zvicër dhe në Perëndim gjithandej. Këto institucione i themeluan vetë shqiptarët muslimanë, dhe jo dikush nga jashtë, as nga Lindja, e as nga Perëndimi. Shqiptarët ndajtën nga buka e gojës për t’i ndërtuar këto qendra për ta adhuruar Zotin dhe për ta kultivuar gjuhën shqipe, kulturën dhe traditën shqiptare, t’i bëjnë këto qendra bazë që do t’i mbajë të lidhur ata dhe fëmijët e tyre me atdheun, me tokën tonë, ku bukës i thonë bukë dhe ujit i thonë ujë.
Themelimi i institucioneve kulturore dhe fetare islame në Perëndim, nga ana e mërgatës shqiptare muslimane, flet për pjekurinë e popullit tonë në mërgatë qe të ndjek rrugë institucionale dhe të ndertojë institucione, pasi xhamia është simbol i institucionit.
Mërgata muslimane shqiptare, pikërisht e frymëzuar edhe nga mesazhi kur‘anor i njohjes mes popujve dhe kulturave, respektimit të tjetrit dhe komunikimit me të gjitha palët, dialogut dhe bashkëpunimit, është integruar në shoqëritë ku jeton dhe vepron, pa komplekse, natyrshëm, pa krijuar probleme, por edhe pa abuzuar me identitetin e vet.
Xhamia çdo herë ka patur rol të dëshmuar në civilizim dhe në ndërtimin e kohezionit shoqëror, kultivimin e mirëkuptimit dhe tolerancës në shoqëritë multikulturore dhe në integrimim e komuniteteve në shoqeri.
Qendrat islame shqiptare më Perëndim në përgjithësi dhe në Zvicër në veçanti, përbëjnë një emër me peshë dhe kontribut të dëshmuar në kuadrin kulturor dhe civilizues të institucioneve të mërgatës shqiptare muslimane në Perëndim.
Duke i lexuar raportet e aktiviteteve të qendrave islame të shqiptarëve në Zvicër, e sheh angazhimin dhe punën e madhe që e bëjnë këto qendra në ngritjen dhe zhvillimin e jetës fetare, kulturore, arsimore dhe shoqërore për komunitetin shqiptar musliman dhe për shoqërinë në Zvicër. Unë ndjehem i nderuar që jam pjesë e këtyre qendrave, dhe ndjehem krenar me kolegët hoxhallarë, për sukseset e arritura në fusha të ndryshme dhe etablimin e qendrave islame shqiptare, si një nga qendrat më të suksesshme komunitare në Zvicër. Kjo, ngase ata dëshirojnë të mbjellin përgjithmonë, e jo për një vit, siç është shprehur edhe Sami Frashëri. E për këtë, duhet mbjellur arsim e kulturë.
Po ashtu, Enver Robelli shprehet: “Vetëm në Zvicrën Lindore janë të hapura minimum 7 xhami ku luten e sorollaten shqiptarët”. Fjala sorollatem kështu është shpjeguar në fjalorin e gjuhës shqipe: “1. Sillem poshtë e lart duke humbur kohën kot; endem pa punë, vij rrotull.
Sorollatet rrugëve. Nuk sorollaten në kohën e punës.
2. Shkoj nga një vend në tjetrin pa mbaruar punë, sillem gjatë andej e këtej për të mbaruar një punë. U sorollat gjithë ditën për pak gjë.
3. Merrem me një punë për shumë kohë pa e përfunduar; vij rrotull me diçka“ (www.fjalori.shkenca.org ).
Përdorimi i shprehjeve si “sorollaten” për ata që frekuentojnë xhamitë është, së paku, mungesë respekti. Edhe ndaj atyre që nuk mendojnë si ti, duhet të tregosh minimumin e respektit. Ata që i fekuentojnë xhamitë besojnë se po përmbushin një obligim të tyre dhe nuk është morale të portretizohen në këtë mënyrë, as si individë dhe as si pjesë e një institucioni fetar.
Madje, do të duhej të kishe respekt edhe për ata të afërm të tu që frekuentojnë xhamitë. Në xhami nuk shkohet që të endemi e të bredhemi, por aty flitet dhe mësohet për sjellje të mirë, tolerancë, mirëkuptim dhe vlera të tjera universale. Ata që shkojnë në xhami nuk “sorollaten”, por mësojnë edhe për historinë kombëtare, këndojnë për figura si Adem Jashari, ndërsa nxënësit e mësojnë edhe himnin kombëtar dhe alfabetin e gjuhës shqipe. Ndoshta ti nuk i ke parë këto, nuk i njeh, apo nuk dëshiron t’i shohësh – kjo mbetet e mundur. Do të ishte njerëzore të tregosh respekt edhe ndaj intelektualëve që frekuentojnë xhamitë.
Pretendimi se aty ka vetëm pleq dhe njerëz të paarsimuar është një formë denigrimi që buron nga një qëndrim paragjykues dhe anti-xhami. Në realitet, xhamitë tona në Zvicër dhe kudo tjetër frekuentohen edhe nga intelektualë të profileve të ndryshme, të cilët e bëjnë këtë me vetëdije dhe bindje të plotë. T’i paragjykosh dhe t’i përbuzësh ata duke thënë se “sorollaten” është një padrejtësi dhe sjellje jo e hijshme. Ti ndoshta shoqërohesh me intelektualë të cilët nuk i frekuentojnë xhamitë, por nuk janë vetëm ata intelektualë shqiptarë në Zvicër dhe në Perëndim, dhe do të ishte rrëshqitje e llojit të vet nëse vetëm ata do të konsideroheshin intelektualë, e ata që i frekuentojnë xhamitë jo intelektualë. Jo vetëm që xhamitë frekuentohen nga intelektualë, por disa prej atyre që janë ulur në bangat e mësonjtores së xhamive të mërgatës shqiptare në Zvicër dhe në Perëndim gjithandej, janë pajisur me diploma universitare dhe janë kthyer të kontribuojnë në menaxhimin e shumë xhamive.

Preokupimi për bursat
Në mes tjerash, Enver Robelli tregohet i kujdesshëm dhe derdh lot për bursat e studentëve, gjegjësisht me paratë që jepen për t’u ndërtuar xhami, do të jepeshin shumë bursa për studentët.
Krejt në rregull, e vlerësojm interesin tënd. Por, po të pyes: Çka ke bërë ti personalisht për të ndihmuar studentë? Nëse ke bërë diçka, e unë nuk e di, të aplaudoj dhe të lumtë. Përndryshe, xhamitë e ndërtuara prej mërgatës shqiptare që ti i quan se „ e quajnë veten shqiptare“ kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për kulturën dhe arsimin shqiptar, si në mërgatë, ashtu edhe në trojet tona etnike. Vetëm sa për ilustrim, sipas sekretarit të Xhamisë Shqiptare në Seebach-Cyrih, Selami Hyseni, për çdo vit kjo xhami ndanë dhjetëra bursa për studentë dhe nxënës të shkollave të mesme në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës. Këto bursa nuk janë të dedikuara vetëm për studentë të studimeve islame, por për të gjitha fushat. Kjo e dhënë është e disponueshme dhe mund ta verifikojë kush të don.
Nëse i ke ndejkur aksionet për grumbullimin e mjeteve për ndërtimin e xhamive të mërgatës shqiptare gjithandej në Perëndim, besoj se ke arritur ta kuptosh se komuniteti ka besim në prijësit e tyre fetar, dhe për atë edhe jep kur kërkohet prej tyre. Bujrum Enveri i robellëve, dil edhe ti dhe kërko bursa, lutem që të të përgjigjen. Nëse të duhet ndihmë, urdhëro, do jemi aty bashkë me ty.

Kostoja e xhamive
Jo rrallë here kur flitet për xhamitë e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe në Perëndim, përmenden kosto të larta, por nuk tregohet e vërteta e plotë e këtyre kostove në rastin e xhamive të mërgatëas shqiptare. Po, kostot përfundimtare mund të jenë të larta, megjithatë, mërgata shqiptare nuk i paguan ato kosto me para kesh. Në fakt, mërgata shqiptare ka arritur të ketë shunë afaristë të suksesshëm, pronarë firmash, profesionistë të fushave të ndryshme, ashtu që një pjesë e madhe e këtyre kostove mbulohet me punë nga profesionistët përkatës dhe me bonuse në material nga kompanitë shqiptare dhe kompani të tjera. Shqiptarët çdo here kanë qenë solidarë dhe nuk kanë hezituar të ndihmojnë në ndërtimin e institucioneve. Për atë, kur e dëgjon një kosto të lartë, dije se në rastin e mërgatës shqiptare, ajo në një masë të madhe mbulohet me punë vullnetare dhe me favore në sigurimin e materialeve me kosto më të lire, që është kontribut i afaristëve dhe profesionistëve shqiptarë dhe të tjerëve. E falënderoj Allahun që i kemi.

Është koha për të reflektuar, ngase epoka e Enver Hoxhës ka kaluar.
Shqiptarët kanë dëshmuar largpamësi duke ndërtuar institucione të qëndrueshme, dhe aktivitetet e xhamive janë pjesë e kësaj përpjekjeje për ruajtjen e identitetit, kulturës dhe vlerave tona.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo