Nga Arian Galdini
Qeveritë njihen më qartë në çastin kur kriza u troket te nervi i ekonomisë.
Jo kur inaugurojnë. Jo kur premtojnë.
Por kur çmimi i karburantit ngjitet, kur litri fillon të bëhet bukë më e shtrenjtë, transport më i kushtueshëm, bujqësi më e rënduar, furnizim më i dobët dhe ankth më i madh për familjen.
Pikërisht atëherë shteti nxjerr fytyrën e vet të vërtetë.
Ose e kupton se po prek një nyjë jetike të ekonomisë reale dhe përgjigjet me rend.
Ose e ngatërron edhe një herë qeverisjen me skenën dhe përgjigjet me teatër.
Shqipëria ndodhet pikërisht në këtë provë.
Nga njëra anë, qeveria ka rikthyer logjikën e Bordit të Transparencës, ka folur për ulje 20 për qind të akcizës kur çmimi kalon pragje të caktuara dhe ka hedhur edhe idenë e një aktori publik në tregun e karburanteve.
Nga ana tjetër, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e tregut me shumicë dhe pakicë.
Kjo provon se problemi është real.
Nuk provon se shteti duhet të bëhet pompë. Provon se shteti duhet të bëhet më serioz. 
Kjo është arsyeja pse ideja e ndërmarrjes shtetërore për karburantet është e gabuar në themel, dhe po kaq e gabuar është britma e verbër për heqjen lineare të barrës fiskale.
Njëra rrugë e shtyn shtetin të bëhet tregtar. Tjetra e shtyn të bëhet i papërgjegjshëm me arkën. Të dyja ikin nga rendi.
Shqipërisë nuk i duhet as pompë shtetërore, as populizëm fiskal.
Shqipërisë i duhet një doktrinë e qartë shteti për karburantin.
Kjo doktrinë nis nga një e vërtetë që në debatin tonë thuhet pak, çmimi i karburantit në Shqipëri nuk është vetëm treg.
Është treg plus shtet.
Litri që qytetari sheh te pompa nuk është vetëm nafta ose benzina.
Është malli i importuar, rruga e tij, porti, magazina, shpërndarja, marzhi tregtar, barra fiskale dhe tatimi që i hipën sipër asaj barre.
Prandaj, sa herë flitet sikur shqiptari po paguan vetëm karburantin, fjalia nis qysh në fillim e shtrembër.
Në të vërtetë, ai po paguan tregun dhe shtetin bashkë.
Dhe pikërisht këtu lind nyja morale e kësaj çështjeje.
Sepse karburanti nuk është mall anësor.
Nuk është luks i tabelës.
Është gjaku i ekonomisë së përditshme.
Hyn te buka, te transporti, te bujqësia, te furnizimi, te çmimi i mallrave, te jeta që lëviz mbi rrota.
Barrën e litrit nuk e shpik opozita e aq më pak qytetarët.
E tregon vetë struktura fiskale.
Taksa e qarkullimit është 27 lekë për litër për benzinën dhe gazoilin, taksa e karbonit është 1.5 lekë për litër për benzinën dhe 3 lekë për litër për gazoilin, TVSH-ja standarde është 20 për qind.
Po ashtu, karburantet sollën 22.5 për qind të totalit të të ardhurave doganore në vitin 2024, ndërsa të ardhurat neto nga produktet e akcizës zunë 44 për qind të totalit të të ardhurave doganore.
Kjo do të thotë se litri është bërë njëkohësisht mall jetik për ekonominë dhe kolonë e rëndë për arkën.
Pikërisht për këtë arsye, ai nuk mund të trajtohet as si plaçkë fiskale, as si skenë propagande. 
Këtu qëndron thelbi i propozimit tim: Mekanizmi Shqiptar i Stabilizimit të Karburantit.
Jo si marifet teknik. Jo si slogan për podium.
Por si rend i ri fiskal dhe shtetëror, i ngritur mbi një parim të vetëm, karburanti nuk duhet trajtuar as si plaçkë e arkës, as si skenë e qeverisë, por si nerv i ekonomisë kombëtare.
Kur ky nerv goditet, shteti nuk duhet as ta lërë të digjet, as të futet vetë në treg për të luajtur rolin e shpëtimtarit.
Detyra e tij është tjetër, të hapë një valvul ligjore sigurie, të kufizuar, automatike, të kontrolluar dhe të kthyeshme, që mbron jetën ekonomike pa shkatërruar rendin fiskal.
Bërthama e kësaj zgjidhjeje mund të thuhet me një fjali, shteti i drejtë nuk futet në treg për të ulur çmimin, ai hap për pak barrën e vet, që kriza të mos i bjerë e tëra mbi jetën ekonomike të vendit. Kjo është qendra.
Jo mëshirë fiskale. Jo bujari e çastit.
Jo frikë nga zemërimi i publikut.
Por vetë kuptimi i shtetit si kufi, masë dhe drejtësi.
Kur presioni vjen nga jashtë, shteti nuk ka të drejtë ta lërë të bjerë i tëri mbi bukën, punën dhe lëvizjen e përditshme të vendit.
Por po aq, nuk ka të drejtë as ta përdorë krizën si alibi për shthurje fiskale, improvizim të pafund dhe vrima të hapura në buxhet.
Që kjo të mos mbetet vetëm e bukur në teori, barra mbi karburantin duhet ndarë në dy shtresa.
Njëra duhet të mbetet bërthamë e pandryshueshme fiskale.
Kjo ruan peshën bazë të të ardhurave publike, seriozitetin e buxhetit dhe vetë kufirin që mban shtetin shtet.
Tjetra duhet të jetë shtresë luhatëse stabilizuese.
Kjo është pjesa e barrës që, në kohë normale, rri në vendin e vet si pjesë e rregullit fiskal, por në kohë goditjeje mund dhe duhet të zbutet përkohësisht, që pesha të mos përkthehet verbërisht në dënim për ekonominë reale.
Kjo është arsyeja pse mekanizmi ynë është parimor e solid në kuptimin më serioz të fjalës, ruan shtetin, ruan tregun, ruan kufirin, ruan familjen, ruan ekonominë reale.
Por mekanizmi nuk mund të varet nga hamendja.
Ai duhet të mbyllet me siguresa.
Aktivizimi nuk mund të lidhet me një ditë të vetme, me një shpërthim emocional në pompë apo me nevojën e qeverisë për të shpëtuar fytyrën.
Duhet të lidhet me një kombinim të qartë treguesish, benchmark-un ndërkombëtar, koston reale të hyrjes së mallit, kursin e këmbimit dhe mesataret kohore që tregojnë se tregu ka kaluar realisht në gjendje goditjeje.
Edhe kufiri i zbutjes duhet të jetë po aq i mbyllur, jo çdo rritje çmimi justifikon zhbërjen e rendit fiskal.
Duhet të ketë tavan, kohëzgjatje, kufi kostoje dhe rikthim automatik.
Përndryshe, mekanizmi kthehet nga valvul sigurie në derë të hapur për arbitraritet.
Këtu bie edhe akti normativ i fundit i qeverisë.
Qeveria miratoi uljen 20 për qind të akcizës për naftën dhe benzinën nëse çmimi i pakicës, sipas Bordit të Transparencës, kalon 220 lekë për litër për naftën dhe 200 lekë për litër për benzinën.
Ky veprim ka një grimë logjike, pranon se barra mund të lëvizë.
Por pikërisht këtu del edhe dobësia e tij.
Ai nuk ndërton rend të mbyllur, ndërton reagim të pjesshëm.
Nuk lidhet me arkitekturën e qartë të hyrjes reale të kostos, por me çmimin final të shpallur nga Bordi, pra me skenën e vendimit dhe jo me formulën e plotë të problemit.
Nuk mbyll qartë transparencën e kostos, ndaj nuk garanton vetvetiu se lehtësimi shkon te qytetari.
Nuk mbyll qartë tavanin e barrës fiskale dhe as horizontin e daljes, sepse mbështetet te një gjendje e mjegullt “deri në stabilizim”.
Kjo nuk është zgjidhje e rendit.
Është pranim i vonuar se barra mund të lëvizë, por i pranuar në mënyrë reaktive, të pjesshme dhe teatrale.
Qeveria po pranon tani, me akt normativ, atë që e mohonte dje me retorikë, se taksa nuk është ligj i natyrës.
Është mjet.
Dhe pikërisht sepse është mjet, ajo duhet mbyllur në rend, jo lënë në duart e refleksit. 
Kjo është arsyeja pse kritika ndaj Ramës duhet thënë qartazi e ballore.
Kur ai tha se heqja e barrës mbi karburantin do ta katërfishonte taksën e makinës, nuk dha ligj fiskal.
Dha frikë të paketuar si matematikë.
Kur hodhi idenë e ndërmarrjes shtetërore për karburantet, nuk korrigjoi tregun.
Ngatërroi funksionet e shtetit dhe i dha pushtetit një skenë të re.
Kur doli me akt normativ për uljen e përkohshme të akcizës, nuk ndërtoi rend të mbyllur.
Pranoi, me vonesë, se barra mund të lëvizë, por e pranoi në mënyrë reaktive, të pjesshme dhe të mjegullt.
Këto nuk janë tri gabime të ndara.
Janë tri forma të së njëjtës filozofi pa rend, frikë në vend të së vërtetës, skenë në vend të rregullit, improvizim në vend të sistemit.
Po aq thelbësore është transparenca.
Në një treg ku hyrja është e përqendruar, shteti nuk duhet të caktojë arbitrarisht çmimin, por duhet ta bëjë të lexueshëm.
Kostoja e importit, shpenzimet portuale e logjistike, çmimi me shumicë, çmimi orientues me pakicë dhe volumi duhet të raportohen rregullisht, të verifikohen dhe të jenë të lexueshme për institucionet dhe për publikun.
Jo për ta komanduar tregun, por për t’ia hequr mjegullën.
Sepse mjegulla është gjithmonë aleat i marrëveshjes së heshtur dhe armik i qytetarit.
Nëse shteti zbut përkohësisht barrën e vet dhe qytetari nuk e sheh këtë zbutje te pompa, atëherë nuk kemi rend.
Kemi transferim të heshtur të ndihmës publike diku në zinxhir.
Fakti që Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e tregut e bën edhe më të fortë nevojën për dritë mbi koston, jo për shtet-tregtar. 
Pastaj vjen fondi i stabilizimit, pa të cilin çdo zbutje e përkohshme rrezikon të bëhet vrimë e menjëhershme në buxhet.
Pikërisht këtu ndahet shteti që mendon nga shteti që improvizon.
Në kohë normale, kur tregu është nën pragun e krizës, një pjesë e shtresës luhatëse nuk duhet të tretet në konsum të çastit.
Duhet të ruhet në një fond të mbyllur, të dedikuar dhe të paprekshëm për çdo gjë tjetër, që përdoret vetëm kur ndizet pragu i goditjes.
Kjo nuk është stoli teknike.
Është kujtesë fiskale.
Dhe shteti pa kujtesë është gjithmonë skllav i krizës së ardhshme.
Po aq e rëndësishme është ndihma e synuar. Jo çdo litër ka të njëjtën peshë morale dhe ekonomike.
Litri që mban në lëvizje autobusin e punëtorit, furgonin që çon bukën, kamionin e furnizimit dhe traktorin e bujqësisë nuk është i barabartë me litrin e luksit.
Prandaj, në kohë goditjeje, mbështetja shtesë nuk duhet të shpërndahet verbërisht për këdo që mbush një depo.
Ajo duhet të shkojë te transporti publik, te bujqësia e formalizuar, te shpërndarja e mallrave bazë dhe te hallkat që mbajnë ekonominë reale të vendit.
Kjo është e duhura në kuptimin më serioz të fjalës, jo shtet llastues, por shtet që di të dallojë nervin jetik të kombit nga konsumi pa peshë.
Por ky mekanizëm nuk është vetëm strategji urgjente.
Nuk është vetëm amortizator i çastit.
Madhështia e tij e vërtetë qëndron te trinomia e kohës.
Si strategji urgjente, ai krijon menjëherë valvulën ligjore të zbutjes, pragun objektiv dhe transparencën e detyrueshme të kostos.
Si strategji afatmesme, ndërton fondin e stabilizimit, rutinën institucionale të raportimit dhe koordinimin ndërmjet Doganave, Financave, Konkurrencës dhe Tatimeve.
Si strategji afatgjatë, krijon një kulturë të re të shtetit ndaj karburantit, jo shtet që reagon me improvizim sa herë që digjet bota, por shtet që e ka shkruar më parë mënyrën si mbron ekonominë reale pa vrarë rendin fiskal.
Kjo është arsyeja pse propozimi im nuk është thjesht zgjidhje për sot.
Është rend për sot, për nesër dhe për kohën që vjen.
Edhe kostot kolaterale duhen pranuar me ndershmëri, sepse vetëm kështu propozimi pushon së qenuri dëshirë dhe bëhet shtet.
Një zbutje e pjesshme e barrës ul të ardhurat afatshkurtra jo vetëm nga akciza, por edhe nga TVSH-ja mbi bazën e zbutur.
Ka rrezik arbitrazhi nëse pragu lidhet naivisht me një ditë të vetme.
Ka barrë administrative, sepse kërkon raportim dhe auditim të rreptë.
Ka kufi mjedisor dhe europian, sepse çdo mekanizëm i tillë duhet të jetë i përkohshëm, i justifikuar nga kriza dhe jo filozofi e përhershme subvencioni ndaj lëndëve djegëse fosile.
Pikërisht pranimi i këtyre kufijve e bën modelin serioz.
Një propozim që nuk njeh kostot e veta është slogan.
Një propozim që i njeh, i kufizon dhe i mbyll me siguresa është shtet.
Këtu bie përfundimisht edhe ideja e ndërmarrjes shtetërore për karburantet.
Sepse ajo e zhvendos debatin nga rregulli te prania, nga ligji te aktori, nga sistemi te skena.
Shqipërisë nuk i duhet shteti si pompë.
I duhet shteti si arkitekt i drejtësisë fiskale, i transparencës së tregut dhe i mbrojtjes së ekonomisë reale.
Ndërmarrja shtetërore nuk ul automatikisht barrën e krizës, nuk krijon fond, nuk garanton dritë mbi koston dhe nuk e dallon dot litrin e jetës nga litri i luksit.
Ajo thjesht i jep pushtetit një rol të ri për t’u dukur sikur po bën diçka, pa e prekur nyjën ku problemi lind vërtet.
Dhe nyja është kjo, karburanti nuk është mall që mund të lihet ose në dorën e verbër të krizës, ose në dorën teatrale të shtetit-tregtar.
Ai kërkon shtet serioz.
Shtet që e njeh barrën që vetë ka ndërtuar.
Shtet që di kur duhet të mbajë, kur duhet të zbusë, kur duhet të ndriçojë dhe kur duhet të dallojë.
Shtet që nuk hyn në treg për të luajtur rolin e shpëtimtarit, por hyn në ligj për të garantuar drejtësinë e barrës.
Kjo është arsyeja pse propozimi im nuk është thjesht teknikë.
Është doktrinë e rendit.
Një shtet i mençur nuk e mjel litrin për rehatinë e vet fiskale dhe nuk futet në treg për të luajtur tregtarin shpëtimtar.
Ai mban barrë të drejtë në kohë normale, hap valvulën ligjore në kohë goditjeje, e bën çmimin të lexueshëm, ruan fond për krizën e radhës dhe mbron, para së gjithash, jetën materiale të vendit.
Gjithçka tjetër është ose mjegull, ose teatër, ose rehati pushteti mbi mundin e tjetrit.
Arian Galdini