SULEJMANI: Atdhedashuria matet me kërkesa konkrete, jo me fjalë të mëdha

Nga prof. dr. Berton SULEJMANI

Atdhedashuria nuk është retorikë, por kërkesë dhe veprim konkret. Prej kohësh mungon artikulimi i qartë i interesit shqiptar në RMV, duke e lënë diskursin publik pa përmbajtje të qartë. Në këtë kontekst, kërkesa për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe shfaqet si e drejtë dhe domethënëse. Pikërisht për këtë, rinia po e zëvendëson sloganin me kërkesë konkrete.
NGA RETORIKA TE PËRMBAJTJA
Në hapësirën tonë publike, patriotizmi dhe atdhedashuria përmenden shpesh, por rrallëherë përkthehen në kërkesa të qarta dhe në veprime konkrete. Kjo mospërputhje ndërmjet fjalës dhe veprës e zbraz kuptimin e tyre dhe e kthen diskursin për atdheun në ushtrim retorik.
Nuk është e rastit që Faik Konica theksonte se “Shqipëria ka nevojë për më pak patriotë me fjalë dhe më shumë njerëz me punë”. Ky dallim ndërmjet fjalës dhe veprës mbetet thelbësor për të kuptuar atdhedashurinë. Ndërkaq, Eqrem Çabej, si figurë ndër më autoritaret e mendimit dhe gjuhësisë shqiptare, e shihte gjuhën si themel të identitetit, duke theksuar se ajo është ndër shenjat më të thella të qenies së një kombi. Në këtë kuptim, atdhedashuria lidhet drejtpërdrejt me kujdesin dhe përdorimin e saj në jetën publike dhe institucionale.
MUNGESA E ARTIKULIMIT TË QARTË TË INTERESIT SHQIPTAR NË RMV
Në rastin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, problemi duket më i thellë dhe më i hershëm: mungesa e artikulimit të qartë të interesit kolektiv. Prej dekadash, një pyetje themelore mbetet pezull: Çfarë kërkojnë shqiptarët në këtë shtet? Përgjigjja nuk duhet kërkuar në deklarata të përgjithshme apo në fjalime të ngarkuara me patos, por në dokumente, politika dhe kërkesa të mirëpërcaktuara.
Kjo paqartësi është vërejtur edhe nga vëzhgues të jashtëm. Gjatë kohës së studimeve, më ka mbetur në mendje një deklaratë e një diplomati të huaj, i cili, në përmbyllje të mandatit të tij në vendin tonë në vitet ’90, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, u shpreh se ndër çështjet që i kishin mbetur peng ishte pamundësia për të kuptuar qartë cilat janë kërkesat reale të përfaqësuesve politikë shqiptarë, përtej atyre që artikulohen për publikun, dhe në veçanti ato që shtrohen seriozisht në tavolinat vendimmarrëse. Ky vëzhgim mbetet domethënës edhe sot.
PROVIMI I JURISPRUDENCËS NË GJUHËN SHQIPE: KËRKESË E DOMOSDOSHME
Në këtë sfond, çështja e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për studentët shqiptarë nuk është temë dytësore. Përkundrazi, ajo përbën shembull të qartë se si kërkesa konkrete shndërrohet në shprehje të drejtpërdrejtë të atdhedashurisë. E drejta për ta ushtruar profesionin në gjuhën amtare nuk është privilegj, por parakusht për barazi dhe për funksionim të drejtë institucional.
Madje, edhe pas ndryshimeve kushtetuese (2001) dhe miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve (2018), pas kaq vitesh dhe pas aq shumë deklarimesh se është arritur shumë, u bë e qartë se slogani nuk mjafton. Pikërisht studentët shqiptarë e kuptuan këtë më mirë se kushdo tjetër: pa kërkesa konkrete, të drejtat mbeten të pjesshme. Nëse këto të drejta do të ishin të garantuara plotësisht, nuk do të kishte nevojë për reagimin e tyre. Prandaj, më mirë vonë se kurrë: reagimi i studentëve nuk është retorikë, por artikulim i qartë i kërkesës së drejtë. Në këtë kuptim, politika nuk duhet ta instrumentalizojë këtë zë për qëllime ditore, por ta lexojë si tregues të qartë se shumë çështje kanë mbetur përgjysmë dhe kërkojnë zgjidhje të mirëfillta institucionale.
STUDENTËT SHQIPTARË PËRBALLË MUNGESËS SË ZGJIDHJEVE INSTITUCIONALE
Studentët shqiptarë, të cilët ndjekin studimet në gjuhën shqipe, përballen me mospërputhje thelbësore: në fazën përmbyllëse të formimit profesional nuk u garantohet e njëjta e drejtë. Kjo situatë nuk është vetëm çështje gjuhësore; ajo prek drejtpërdrejt standardin juridik, qasjen në profesion dhe besimin në shtet.
Ndërkohë, diskursi politik dhe mediatik vazhdon të karakterizohet nga përgjithësime dhe nga mungesa e përqendrimit në çështje konkrete. Edhe informacioni publik, përfshirë lajmet në gjuhën shqipe, rrallëherë e bën të dukshëm interesin shqiptar si kategori të artikuluar qartë.
Në këtë realitet, reagimi i studentëve përbën kthesë të nevojshme. Ai dëshmon se kërkesa e qartë është formë e lartë e përgjegjësisë qytetare. Prandaj, është e rëndësishme që kjo çështje të qëndrojë mbi ndikimet politike, në mënyrë që të ruajë thelbin dhe të mos reduktohet në instrument ditor politik.
SOLIDARITETI DHE BARAZIA PËRTEJ PËRKATËSIVE ETNIKE
Protesta e studentëve nga tre universitetet shqiptare duhet të gjejë përkrahje edhe nga studentët e universiteteve të tjera në vend, sepse kjo çështje tejkalon kufijtë institucionalë dhe lidhet drejtpërdrejt me parimin e barazisë reale. Kërkesat e tyre nuk duhet të trajtohen si lëshime të rastit apo si “lëmoshë” nga pushteti, por si të drejta që burojnë nga rendi juridik ekzistues, ose që kërkojnë rregullim të qartë ligjor aty ku ka paqartësi.
Madje, mungesa e mbështetjes nga përfaqësues të pakicave të tjera etnike mbetet e pakuptueshme, sidomos po të kihet parasysh se pas vitit 2001 dhe frymës së Marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk garanton të drejta vetëm për shqiptarët, por për të gjitha bashkësitë, u vendos kornizë që synon barazi gjuhësore dhe institucionale. Pikërisht për këtë arsye, sot kur këto parime gëzojnë zbatim konkret në nivel lokal edhe për këto bashkësi etnike, mungesa e solidaritetit bie në kundërshtim me vetë logjikën e këtij rendi të ndërtuar mbi barazi dhe bashkëjetesë.
BARAZIA NUK MJAFTON NË LIGJ, KËRKON THEMEL KUSHTETUES
Në diskursin publik shpesh paraqitet ideja se barazia është arritur dhe statusi është çështje e mbyllur. Megjithatë, realiteti juridik dhe institucional tregon se kjo barazi mbetet e paplotë në zbatim.
Në këtë kontekst, dallimi ndërmjet barazisë ligjore dhe asaj kushtetuese bëhet thelbësor. Barazia ligjore përbën arritje të rëndësishme, por mbetet e kufizuar në mungesë të bazës së qartë kushtetuese. Si e tillë, mbetet e hapur ndaj interpretimeve dhe krijon ndjesi të rreme barazie. Për këtë arsye, përpjekja duhet të synojë afirmimin e barazisë në rendin kushtetues, si garanci e qëndrueshme e të drejtave. Vetëm mbi këtë bazë, të drejtat njihen dhe zbatohen plotësisht në funksionimin e shtetit.
Kur parimi shpallet i realizuar, ndërsa në praktikë kërkon ende dëshmi, atëherë kemi diskurs që afirmon vetveten, por nuk pasqyron realitetin. Në këto rrethana, hendeku ndërmjet deklarimit dhe përmbajtjes bëhet i dukshëm.
NGA RETORIKA TE VEPRIMI
Është e domosdoshme të kalohet nga retorika te përmbajtja. Sepse atdhedashuria nuk dëshmohet me fjalë të mëdha, por duke i kthyer ato në politika, në të drejta dhe në zgjidhje konkrete. Kur kjo nuk ndodh, fjala humbet peshën dhe mbetet vetëm si shprehje pa ndikim. Prandaj, matja e saj nuk bëhet me atë që thuhet, por me atë që zbatohet.
(Autori është profesor në Universitetin e Tetovës)

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo