Njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka reaguar lidhur me protestën e studentëve të paralajmëruar për 6 prill, duke theksuar nevojën për qasje më të përgjegjshme ndaj çështjeve gjuhësore dhe institucionale në vend.
Mexhiti vlerësoi se në një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut, elitat politike dhe shoqërore kanë detyrim të ndërtojnë politika të qëndrueshme që reflektojnë diversitetin dhe karakterin multietnik të shoqërisë.
Ai kritikoi politikën aktuale gjuhësore, duke e cilësuar si të paplotë dhe të pamjaftueshme për të adresuar në mënyrë të drejtë nevojat e qytetarëve.
Sipas tij, protesta e studentëve nuk duhet të shihet si akt politik, por si një thirrje për ndërgjegjësim për të gjithë faktorët relevantë që të angazhohen në krijimin e zgjidhjeve më të mira ligjore dhe afatgjata.
“Protestat studentore janë gjithmonë një alarm për problemet shoqërore, të cilat strukturat politike kanë obligim t’i trajtojnë në tërësi,” theksoi Mexhiti, duke bërë apel që të shmanget politizimi i kësaj çështjeje.