Humbja 3-2 e Polonisë ndaj Suedisë në finalen e fazës “play-off” të Botërorit mund të shënojë fundin në kombëtare për sulmuesin Robert Lewandowski.
Pas përfundimit të sfidës, 37-vjeçari ka publikuar në rrjetin social Instagram një fotografi të shiritit të kapitenit, shoqëruar me këngën “Time to say goodbye”, duke lënë të kuptohet largimin e tij nga përfaqësuesja polake.
Megjithatë, deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar nga ana e lojtarit apo federatës për tërheqjen përfundimtare.
Lewandowski debutoi me Poloninë në vitin 2008 dhe gjatë kësaj periudhe ka regjistruar 165 ndeshje dhe 89 gola, duke mbajtur rekordin si golashënuesi më i mirë i historisë së këtij vendi.
Paralelisht me situatën në kombëtare, e ardhmja e tij mbetet e pasigurt edhe te Barcelona. Kontrata e tij me klubin katalanas skadon në fund të këtij sezoni, gjatë të cilit ai ka shënuar 16 gola në 37 ndeshje zyrtare në të gjitha kompeticionet.