Kryetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi zotohen për mbështjetje reciproke për në BE

Gordana Siljanovska-Davkova e Maqedonisë së Veriut dhe Jakov Milatovic i Malit të Zi sot në një takim në Shkup u zotuan se të dy vendet do të përkrahin njëri-tjetrin në rrugën e premtuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Që të dy po ashtu u angazhuan edhe për bashkëpunimin midis të dy vendeve dhe ndër-rajonal.
“Integrimi i plotë i Ballkanit është i nevojshëm në mënyrë që BE-ja të jetë vërtet një komunitet frymëzues dhe i plotë,” tha në një konferencë për shtyp pas takimit Siljanovska-Davkova.
“Bashkëpunimi rajonal nuk është vetëm detyrimi ynë, por edhe një e drejtë, dhe mbështetja e ndërsjellë e vendeve të Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme për mua. Nëse nuk e respektojmë njëri-tjetrin, nëse nuk e kuptojmë njëri-tjetrin, po e bëjmë rrugën tonë drejt BE-së më të vështirë,” shtoi ajo.
Njëjtë u shpreh edhe mysafiri Milatovic.

“Si një vend kryesor në negociatat me BE-në, Mali i Zi mbështet fuqimisht rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Ky vend do të ketë gjithmonë një aleat të madh dhe mbështetje të madhe tek ne. Ju e dini që Mali i Zi ka vendosur një qëllim ambicioz, por ne besojmë se është e arritshme të bëhet shteti i 28-të anëtar i BE-së në vitin 2028. Në këtë mënyrë, ne do të tregojmë se perspektiva evropiane e këtij rajoni nuk është vetëm një ëndërr, por edhe një realitet”, tha ai.

“Dy vendet tona janë të lidhura nga miqësia e sinqertë, respekti i ndërsjellë dhe angazhimi i përbashkët ndaj vlerave evropiane. Marrëdhëniet tona dypalëshe kanë qenë një shembull i bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë në rajon për dy dekada. Prandaj, sot, nga këtu, nga Shkupi, unë dhe Presidenti dërgojmë mesazhe të bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes së fqinjësisë së mirë. Ne e vlerësojmë faktin që Maqedonia e Veriut ishte ndër vendet e para që njohu Malin e Zi dhe kjo u bë një themel i fortë për zhvillimin e marrëdhënieve tona dypalëshe dhe diplomatike,” shtoi Milatovic.
Nga gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi është në krye të negociatave të pranimit në BE. Që nga nisja e negociatave të pranimit në BE në vitin 2012, nga gjithsej 35 kapituj negociues, Podgorica ka hapur 33 për negociata dhe ka mbyllur 14 kapituj. 2 kapituj hapen dhe mbyllen automatikisht.
Zyrtarët e Malit të Zi shpresojnë se vendi do të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028.
Maqedonia e Veriut nuk ka hapur asnjë kapitull negociues deri më tani, pasi nuk po e përfshin komunitetin bullgar në Kushtetutë, një kusht i vendosur nga Bullgaria dhe i pranuar nga 26 anëtarët e tjerë të BE-së katër vjet më parë.
Me ardhjen në pushtet të partisë konservatore VMRO-DPMNE pas zgjedhjeve të vitit 2024, ndryshimet kushtetuese të nevojshme për vazhdimin e bisedimeve me BE-në janë bërë edhe më të vështira, meqë kreu i partisë dhe Kryemininistri Hristijan Mickoski tash ka vendosur kundër-kushtet e tij për të bërë ndryshime kushtetuese për bashkësinë bullgare.
Mickoski kërkon që edhe Bullgaria të respektojë dhe të njohë të drejtat e bashkësisë maqedonase në Bullgari, dhe kërkon që Bashkimi Evropian të garantojë në mënyrë zyrtare se Bullgaria nuk do të vë kushte të tjera që do të kishin të bënin me identitetin dhe gjuhën maqedonase, të cilën Bullgaria nuk e njeh dhe e trajton si derivat të gjuhës bullgare.

Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt negociues që nga të parët në tetor 2024 dhe qeveria e saj shpreson për anëtarësim në BE deri në vitin 2030.
Serbia ka nisur negociatat e pranimit në BE në vitin 2015 dhe ka hapur 18 kapituj negociues, nga të cilët 2 janë tashmë të mbyllur përkohësisht.
Në dhjetor 2021, Serbia hapi një Grup 4 prej katër kapitujsh – tashmë të hapur dhe që duhet të mbyllen – në bisedimet e pranimit. Që atëherë, ajo nuk ka hapur dhe as mbyllur asnjë kapitull/grup në procesin e negociatave për anëtarësim në bllokun evropian. Negociatat e Serbisë janë bllokuar kryesisht për shkak të refuzimit për t’u bashkuar me sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe mungesës së vazhdueshme të përparimit në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE me Kosovën, përveç reformave të pamjaftueshme.

Bosnjës dhe Hercegovinës (BiH) iu dha statusi i kandidatit të BE-së në dhjetor 2022, por nuk ka hapur asnjë kapitull për shkak të përparimit të pamjaftueshëm me reformat e përcaktuara nga Brukseli.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor 2022, por aplikimi nuk po trajtohet pasi pesë vende (Greqia, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) nuk e njohin shtetësinë e saj.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo