Njësia K9 e Policisë së Kosovës ka zhvilluar kontrolle të detajuara në ambientet e hotelit “Swiss Diamond” në Prishtinë, ku është akomoduar Kombëtarja e Turqisë.
Policët me qen fillimisht kanë kontrolluar parkingun në hyrje të hotelit, e më pas edhe hapësirat e brendshme, në kuadër të masave të shtuara të sigurisë para dhe gjatë qëndrimit të ekipit turk.
Forca të shtuara policore janë vendosur përreth hotelit, ku po qëndrojnë lojtarët dhe stafi i Kombëtares së Turqisë.
Ndërkohë, dy autobusë VIP të ardhur nga Turqia janë vënë në dispozicion për transportin e ekipit nga aeroporti në hotel dhe anasjelltas.
Dje, lojtarët turq janë paraqitur në stadiumin “Fadil Vokrri” për t’u njohur me fushën, por nuk kanë zhvilluar stërvitje, pasi atë e kishin realizuar pak para nisjes për në Kosovë.
Ndeshja finale e “play-off”-it zhvillohet sonte, me fillim nga ora 20:45. Fituesi i kësaj përballjeje siguron biletën për në Kampionatin Botëror.