Reformat në Maqedoninë e Veriut për BE-në: Çfarë po ndodh realisht për shqiptarët?





Në mars 2026, Maqedonia e Veriut ende nuk ka hapur kapitujt e parë të negociatave me BE-në. Procesi është bllokuar kryesisht nga kushti i ndryshimeve kushtetuese për mbrojtjen e minoriteteve (përfshirë bullgarët), që mbetet “i panegociueshëm” sipas Brukselit dhe Parlamentit Europian. Qeveria Mickoski-VLEN nuk ka treguar gatishmëri për këtë hap, duke e shtyrë procesin drejt një “gjysmë-anëtarësimi” ose integrimi gradual pa afate të qarta.
Reformat kryesore që kërkon BE-ja (sundimi i ligjit, gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe administrata publike) po ecin me ritëm të ulët. Progresi është i kufizuar, edhe pse vendi ka plotësuar screening-un dhe ka harmonizuar politikën e jashtme me BE-në. Mbështetja publike për anëtarësim mbetet e lartë (rreth 70%), por qytetarët – veçanërisht shqiptarët – po shohin pak rezultate konkrete në punësim, investime dhe barazi.
Për shqiptarët, situata është edhe më delikate. VLEN-i, si partner në qeveri, po akuzohet se po hesht për të drejtat reale dhe nuk po ushtron presion të mjaftueshëm për reforma që prekin drejtpërdrejt komunitetin tonë (barazi, gjuhë, investime në zonat shqiptare). Ndërkohë, fragmentimi midis VLEN-it, BDI-së dhe krahëve të ASH-së e tj./po dobëson zërin tonë kolektiv në negociatat me Brukselin.
Pa unitet politik shqiptar dhe pa reforma serioze të brendshme, rrezikojmë të mbetemi në vendnumëro për vite të tjera – as plotësisht në Europë, as të lirë nga tensionet e brendshme. Integrimi në BE nuk është dhuratë, por kërkon pjekuri, kompromise të mençura dhe një zë të unifikuar shqiptar që mbron dinjitetin dhe interesat reale.
Koha po kalon. Nëse nuk veprojmë bashkë tani, mundësia për një Maqedoni të Veriut europiane dhe të barabartë për të gjithë mund të humbet .
Dr.Lulzime Qoku

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo