Gjenerata U15 e KF Shkëndija Tetovë vazhdon me rezultate pozitive, duke regjistruar një tjetër fitore të rëndësishme këtë fundjavë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ibrahim Luma triumfoi në Shkup përballë Akademia Park 0:1, një kundërshtar i fortë që vetëm një javë më parë kishte mposhtur FK Vardar me rezultat bindës 0:4, shkruan Tetovasot.
Kjo fitore vjen pas suksesit të arritur një javë më parë kundër Forca Vardar, duke konfirmuar formën e mirë dhe punën e vazhdueshme që po bëhet me këtë gjeneratë të talentuar.
Ndeshja në Shkup ishte mjaft e luftuar, por futbollistët e rinj të Shkëndijës treguan karakter, disiplinë taktike dhe cilësi në lojë, duke arritur të dalin me tre pikë shumë të vlefshme.
Pas ndeshjes, trajneri Ibrahim Luma u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij:
“Jam shumë i kënaqur me angazhimin dhe disiplinën e futbollistëve. Kemi përballë një skuadër shumë të fortë që kishte fituar bindshëm ndaj Vardarit dhe kjo fitore ka vlerë të madhe për ne. Djemtë po tregojnë progres nga ndeshja në ndeshje dhe kjo është ajo që më gëzon më shumë. Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të arritur rezultate edhe më të mira në vazhdim”, deklaroi Luma për Tetovasot.
Shkëndija U15 me këtë fitore vazhdon serinë pozitive dhe konfirmon se është një nga skuadrat më premtuese në këtë kategori.TS