Pas-agjërimi

Nuk është devotshmëri kur iftari bëhet spektakël dhe i varfri mbetet jashtë dere; nuk është islam kur sadakaja kthehet në dekor të pushtetit – siç veproi edhe kësaj radhe BFI-ja e Shaqir Fetait

Nga Mr. Eset Shaqiri

Hala e kemi të freskët atë moment, menjëherë pas iftarit, kur trupi qetësohet dhe mendja duhet të zgjohet. Pa dyshim, është momenti që shpjegon gjithçka dhe që i jep kuptim agjërimit! Por, mjerisht, edhe kësaj radhe u pa dhe u ndje tek ndodh e kundërta: trupi ngopet, ndërsa ndërgjegjja bie në gjumë. Dhe pikërisht aty fillon ajo që mund ta quajmë “pas-agjërim”, një gjendje e rrezikshme ku riti mbetet, por qëllimi është zhdukur; ku forma është e përkryer, por përmbajtja është bosh. Për këtë moment të shëmtuar edhe kësaj radhe u përkujdes Shaqir Fetai. Sepse nuk është më fjala për një devijim të vogël, për një lëshim njerëzor që mund të justifikohet. Është kthyer në model. Në praktikë të përsëritur. Në një mënyrë funksionimi që nuk skuqet më, nuk kërkon falje, madje as nuk përpiqet të fshihet, por, gjithkund e ke me gjoksin e patokut të fryrë si triumfalist.
Ramazani kalon me iftare të organizuara si konferenca: lista të ftuarish të kuruara, tavolina të renditura sipas hierarkisë së pushtetit, buzëqeshje të stërvitura dhe biseda që nuk kanë asnjë lidhje me urinë, me durimin, me sakrificën. Nuk mungojnë bankierët, përfaqësuesit e bizneseve, funksionarët publikë, njerëz që nuk e kanë njohur kurrë ankthin e një darke të pasigurt. Dhe, në mes të këtij luksi të heshtur, përmendet Zoti, si një dekor i domosdoshëm për ta legjitimuar ngjarjen.
Ndërkohë, në të njëjtin qytet, në të njëjtat lagje, ka familje që presin akshamin me një gotë ujë dhe një copë bukë. Ka nëna që bëjnë llogaritë e fundit të frigoriferit bosh. Ka fëmijë që mësohen herët të mos kërkojnë shumë, sepse “s’ka”. Ka pleq që nuk dalin më në xhami, jo nga mungesa e besimit, por nga turpi i varfërisë. Dhe këta nuk janë raste të rralla. Janë realitet i përditshëm. Janë ata që duhej të ishin në qendër të çdo iftari, të çdo organizimi, të çdo fjale për devotshmëri.
Por ata nuk janë. Sepse nuk janë të dobishëm për imazh.
Në vend të tyre, kemi një tjetër kategori: të ftuarit e rëndësishëm. Ata që japin peshë fotografisë, që i japin rëndësi fjalës së mbajtur, që e bëjnë ngjarjen “të dukshme”. Dhe kështu, iftari, që në thelb është një akt i përbashkët i përulësisë, shndërrohet në një akt përzgjedhje, reklamimi dhe mrketingu. Kush vlen të ulet në tavolinë dhe kush jo.
Ironia arrin kulmin kur kjo tryezë financohet nga ata që nuk janë në të. Fitri, i menduar si një akt i drejtpërdrejtë solidariteti me të varfrin, kthehet në një fond të heshtur për të mbuluar luksin simbolik të të pasurit. Është një përmbysje e plotë e logjikës: i varfri nuk ushqehet, ai sponsorizon. Nuk përfshihet, ai përjashtohet në mënyrë elegante. Tryezat vlojne nga rakixhinjte, bixhozgjinjtë, nga drogaxhinjtë, nga pederastët, nga mynafikët e nga intrigantët. Të gjithë këta hanë kafshatën e të ngratëve.
Dhe pastaj vjen Bajrami.
Një shpërthim urimesh, vizitash protokollare, deklaratash për unitet dhe harmoni. Një retorikë e mbushur me fjalë të mëdha: bashkim, solidaritet, vëllazëri. Por ku është ky bashkim? Në cilat shtëpi hyn? Cilët njerëz i prek?
Sepse nëse e ndjekim me kujdes, vërejmë se ky “unitet” është një rreth i mbyllur. Ai qarkullon midis të njëjtëve njerëz, të njëjtave institucione, të njëjtave shtresa. Vizitat bëhen aty ku ka protokoll, jo aty ku ka nevojë. Urimet shkëmbehen aty ku ka interes, jo aty ku ka dhimbje. Dhe kështu, Bajrami, festa e ndarjes dhe e afrimit, kthehet në një festë përjashtimi.
Më e dhimbshmja është mungesa e përpjekjes. Sepse nuk është se nuk ka mundësi. Përkundrazi, ka burime, ka struktura, ka rrjete bashkëpunimi. Do të mjaftonte një organizim i thjeshtë, pa zhurmë: të përgatiten paketa ushqimore për iftar dhe për sofrën e Bajramit; të identifikohen familjet në nevojë; të përfshihen bizneset jo si sponsorë të eventeve, por si partnerë të solidaritetit; të aktivizohen xhamitë jo vetëm si vende faljesh, por si qendra reale ndihme.
Por kjo nuk ndodh. Sepse kjo punë nuk fotografohet bukur. Nuk prodhon imazh të menjëhershëm. Nuk të sjell duartrokitje. Nuk ka buzëqeshje, por, përlotje! Për ditë Bajrami Shaqir Fetai dëshiron që të duket i kuruar jo i përlotur. Nuk i ka hije loti!
Dhe këtu qëndron thelbi i problemit: një zhvendosje e qëllimit. Nga përmbajtja te forma, nga ndihma te paraqitja, nga devotshmëria te reputacioni. Nuk është më e rëndësishme çfarë bëhet, por si duket ajo që bëhet. Nuk ka rëndësi sa njerëz ndihmohen, por kush ishte i pranishëm në tavolinë.
Kjo është “pas-agjërimi”: kur muaji i përmbajtjes shndërrohet në muaj të ekspozimit. Kur sakrifica personale zëvendësohet me konsum publik. Kur lutja bëhet deklaratë dhe mëshira bëhet projekt i menaxhuar.
Dhe, në këtë proces, humbet diçka thelbësore: ndjenja e përgjegjësisë ndaj tjetrit. Sepse feja, në thelbin e saj, nuk është një marrëdhënie individuale me Zotin që mbaron në sexhade. Është një marrëdhënie që vazhdon në rrugë, në derën e fqinjit, në shtëpinë e atij që nuk ka.
Nëse kjo lidhje këputet, gjithçka tjetër bëhet dekor.
Mund të flitet gjatë për traditën, për zakonet, për rëndësinë e ruajtjes së riteve. Por çfarë vlere ka një traditë që nuk e mbron të dobëtin? Çfarë kuptimi ka një rit që nuk e zbut zemrën? Çfarë peshe ka një festë që nuk e ndan gëzimin? Çfarë Bajrami është ai në të vilën mundohesh të demonstroshë triumfalizmin ndaj Ramazanit?
Ndoshta problemi më i madh nuk është ajo që bëhet, por ajo që nuk na shqetëson më. Fakti që këto skena përsëriten çdo vit dhe nuk shkaktojnë më reagim. Që janë bërë normale. Që pranohen si pjesë e lojës.
Dhe kur padrejtësia bëhet normale, ajo nuk shihet më si padrejtësi. Ajo bëhet rend.
“Pas-agjërimi” është pikërisht ky rend i ri: një sistem i vogël, por i qëndrueshëm, ku simbolika ka zëvendësuar përmbajtjen dhe ku ndërgjegjja është mësuar të heshtë. Një sistem ku i varfri nuk është më qendër e vëmendjes, por sfond i padukshëm, një sistem që po shtyhet nga Shaqir Fetai e po duartrokitet nga hoxhallarët e vendit. Vetëm përurime, asnje kritikë, asnjë distancim nga këto veprime antiislame të Shaqir Fetait.
Dhe në fund mbetet një pyetje e thjeshtë, por e rëndë: çfarë kemi agjëruar, nëse nuk kemi mësuar të ndajmë? Sepse agjërimi që nuk të çon te tjetri, është një ushtrim i kotë. Dhe Bajrami që nuk e përfshin të varfrin, është një festë e papërfunduar.
Të gjitha të tjerat, janë vetëm shfaqje pas saj. Edhe “Bakklava e Ramazanit” është një shfaqje e Shaqir Fetait që ndiqet nga plotë lolo!

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo