Drama e heshtur e mantelit të bardhë

D.r.Gazmend Elezi

Shpesh më pyesin shokët dhe miqtë që nuk janë të profesionit: si ndihesh kur hyn në sallë operacioni, çfarë mendon në ato çaste, si e përballon atë punë, a nuk të shkon ndonjëherë neveri, dhe pyetje të tjera që nuk kanë fund. Çdo herë kur mundohem të përgjigjem e kuptoj se nuk mund të shpjegohet thjesht me fjalë. Kjo punë nuk është vetëm një profesion.
Por është një gjendje që lëviz, që të ndryshon nga brenda.Është një përzierje e guximit, frikës dhe dijes që nuk qëndrojnë kurrë në ekuilibër të qetë. Një tension i vazhdueshëm mes asaj që di dhe asaj që nuk kontrollon dot. Një hapësirë ku njeriu përballet me kufijtë e vet. Një gjendje që lind pikërisht aty, në mes kirurgut, pacientit dhe familjarëve të tij. Aty fillon kuptimi i vërtetë i asaj që bëjmë.
Aty fillon gjithçka.
Midis këtyre tre anëve nuk ka vetëm distancë fizike, por ka një hapësirë të heshtur.
Një vend ku njeriu përballet me qenien e vet.
Një vend ku përplaset jeta, shpresa ,përgjegjësia,
por edhe kuptimi.
Çfarë është jeta. Sa vlen ajo. Deri ku shkon përpjekja për ta mbrojtur atë….

E kur kirurgu hyn në sallë dhe dera mbyllet pas kësaj ka një kufi mes dy realiteteve.
Jashtë mbeten zërat dhe ankthi.
Brenda mbetet vetëm qetësia artificiale e aparaturave dhe një jetë e hapur përpara tij. Kirurgu me duarët e sigurta e të stërvitura nga vite përvoje, por me zemrë që nuk është kurrë neutrale.
Ai nuk operon vetëm një trup. Ai prek një histori. Një njeri që dikush e pret. Një jetë që ende nuk është mbyllur.
Çdo prerje është vendim. Çdo vendim ka peshë. Nuk ka vend për hezitim në ato minuta. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka frikë. Frika ekziston. Vetëm nuk lejohet të dalë në sipërfaqe. Shtyhet thellë, derisa gjithçka të mbarojë. Sepse kirurgu e di një të vërtetë të thellë. Edhe kur kufiri duket i ashpër, njeriu nuk hyn aty për të humbur, por për të luftuar. Çdo operacion është një akt besimi në mundësinë e jetës. Një pohim i heshtur se dija, përkushtimi dhe vullneti mund ta shtyjnë edhe pak më tej kufirin e së pamundurës.
Edhe kur përballet me të panjohurën, kirurgu nuk është thjesht përballë rrezikut. Ai është përballë kuptimit të profesionit të tij. Sepse mjekësia nuk është vetëm ndërhyrje mbi trupin. Është një filozofi e jetës që beson se çdo përpjekje ka vlerë, se çdo jetë meriton një shans, se edhe në momentet më të vështira ekziston mundësia e rikthimit. Dhe pikërisht kjo e mban të qëndrueshëm. Jo mungesa e frikës, por kuptimi që ka ajo që bën.
Në anën tjetër, pacienti hyn në sallë si një rast urgjent, ku për herë të parë e ndjen qartë sa e brishtë është jeta.
Ai shtrihet dhe sheh dritën mbi kokë. Dëgjon zëra që nuk i kupton plotësisht. Dhe në ato sekonda para se të mbyllë sytë, mendon për gjërat më të thjeshta. Për njerëzit që i do. Për fjalët që nuk i ka thënë.
Ai dorëzohet. Ia dorëzon trupin dhe jetën dikujt që mezi e njeh. Ky është besim i pastër. Pa garanci. Pa siguri. Vetëm shpresë. Dhe në atë dorëzim ka një forcë të veçantë. Sepse njeriu, edhe kur është më i pambrojtur, mbetet i lidhur me jetën përmes shpresës.
Por ndoshta drama më e rëndë ndodh jashtë sallës.
Familjari pret. Ulur në një karrige që bëhet më e rëndë me çdo minutë. Koha nuk ecën si zakonisht. Çdo sekondë zgjatet. Çdo hap në korridor i duket si lajm. Mendja nuk pushon. Shkon nga kujtimet te frika, nga shpresa te skenari më i keq.
Ai nuk ka asnjë kontroll. Vetëm pritje. Vetëm lutje të heshtura. Kujton fjalët e fundit, momentet e fundit, gjërat e vogla që papritur marrin peshë të madhe. Dhe në atë pritje lind diçka tjetër. Një lidhje më e fortë me jetën. Një kuptim më i thellë i dashurisë. Sepse kur rreziku bëhet real, njeriu kupton çfarë ka vërtet vlerë.
E kur dera hapet dhe kirurgu del, ai moment nuk është i zakonshëm. Një fjali e vetme mund të rikthejë frymën ose ta ndalë atë. Në atë çast takohen të tre botët. Kirurgu me barrën e tij të padukshme. Pacienti mes rikthimit dhe humbjes. Familjari mes frikës dhe shpresës.
Kjo është drama e heshtur e mantelit të bardhë. Nga jashtë duket i pastër, i qetë, i sigurt. Brenda tij ka net pa gjumë, vendime të rënda dhe kujtime që nuk fshihen kurrë.
Sepse në fund të fund, kjo nuk është vetëm mjekësi. Është një përballje e përditshme me kufirin mes jetës dhe vdekjes. Por është edhe diçka më shumë. Është dëshmia se njeriu nuk dorëzohet lehtë. Se edhe përballë pasigurisë, ai vazhdon të besojë, të luftojë dhe të kërkojë dritë. Dhe ndoshta pikërisht aty qëndron forca më e madhe e mantelit të bardhë. Jo vetëm te ajo që bën, por te ajo që përfaqëson.
Shpresën.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo