U raportua se kishte vdekur, reagon Rozana Radi: Imagjinoni të isha diku e të mos kisha valë, do të ishin çmendur familjarët
Rozana Radi është bërë së fundmi subjekt i një lajmi të rremë që ka qarkulluar në mediat online, duke shkaktuar reagime të menjëhershme nga vetë artistja.
Një portal shqiptar publikoi një fotografi të këngëtares, të shoqëruar me imazhe të një aksidenti automobilistik dhe titullin tronditës: “Shuhet nga jeta këngëtarja Rozana Radi”, duke ngritur shqetësim të madh te publiku dhe ndjekësit e saj.
Menjëherë pas publikimit të këtij lajmi, këngëtarja dhe moderatorja e emisionit Goca dhe Gra reagoi përmes një postimi në rrjetin social Instagram, duke e dënuar ashpër këtë dezinformim.
“Merreni me mend çfarë janë në gjendje të bëjnë portalet online”, shkroi ajo fillimisht, ndërsa më pas shtoi: “Imagjino të isha diku ku të mos kisha valë. Do ishin çmendur familjarët. Nuk e di si ju mban toka”.
