Bujqit paralajmërojnë rritje të çmimeve, Ministria e Bujqësisë e ndjek situatën dhe nëse ka nevojë do të reagojë me masa konkrete

Bujqit presin rritje të çmimeve të produkteve bujqësore, duke marrë parasysh se shumica e repromaterialeve furnizohen nga Lindja e Mesme. Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave thonë se po ndjekin situatën dhe do të reagojnë nëse nevojitet.

Kryetari i Federatës kombëtare të bujqve, Stevançe Jordanoski, para Asamblesë së sotme vjetore të Federatës, shfaqi shpresë se Ministria përkatëse do të marrë masa me kohë dhe do të aktivizojë të ashtuquajturin fond krize me qëllim zbutjen e pasojave nga kriza.

“Me ngjarjet aktuale në botë dhe luftën që askush nuk e dëshiron, ka pasur turbulenca të mëdha në tregjet e naftës, e edhe të gjitha repromaterialet dhe plehrat vijnë nga ai rajon. Presim rritje të mëdha të çmimeve edhe në shitjen me pakicë. Shteti, respektivisht Ministria e Bujqësisë, duhet të ndërmarrë masa me kohë, siç është aktivizimi i të ashtuquajturit fond krize për të përmbushur nevojat në furnizimin e repromaterialeve, respektivisht plehrave”, tha Jordanoski.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, thotë se situata po ndiqet çdo ditë dhe, nëse nevojitet, do të ndërhyjnë me hapa të përshtatshëm.

“Ajo që është me rëndësi në lidhje me çmimin e plehrave dhe derivateve të naftës është se si Ministri e ndjekim situatën çdo ditë. Do të shohim në çfarë drejtimi do të lëvizin. Nëse nevojitet, natyrisht si Ministri do të dalim me masa dhe propozime konkrete për sanimin e një situate të tillë”, tha Tripunovski.

Tripunovski nuk pret probleme gjatë blerjes së qengjit, për të cilin thertoret kanë ofruar çmim prej 260 denarësh për blerje në vend. Piku pritet javën tjetër para festave të Pashkëve.

Në Asamblenë e sotme vjetore të Federatës së fermerëve, bujqit përmendën çmimet e ulëta të blerjes, mungesën e fuqisë punëtore, infrastrukturën dhe ndikimet negative të ndryshimeve klimatike, si probleme me të cilat përballen.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo