Skandal me të miturin: Merret nga shkolla pa praninë e prindërve, kërkohet takim urgjent me Kryeministrin Mickoski

Një reagim i fortë publik ka ardhur nga juristja dhe mbrojtësja e të drejtave të njeriut, Lulzana Murati, e cila i është drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski dhe presidentes Gordana Siljanovska-Davkova lidhur me rastin e të miturit 15-vjeçar nga Tetova.

Murati e cilëson rastin si “thellësisht shqetësues”, duke theksuar se bëhet fjalë për një ndërhyrje të organeve të rendit, ku një nxënës është marrë nga bankat e shkollës pa u njoftuar paraprakisht prindërit.

Reagimi i plotë:

THIRRJE PUBLIKE DREJTUAR KRYEMINISTRIT DHE PRESIDENTES SË SHTETIT
I nderuar Kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kristijan Mickoski,
E nderuar Presidente e Shtetit, Gordana Siljanovska Davkova,
Unë, si juriste dhe si profesioniste e angazhuar në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, ndjej obligim moral dhe profesional që publikisht t’ju drejtohem për një rast thellësisht shqetësues që prek drejtpërdrejt një fëmijë, një të mitur 15 vjeçar.
Bëhet fjalë për një ndërhyrje të organeve të Ministrisë për Punë të Brendshme, ku një nxënës është marrë nga bangat e shkollës pa u informuar paraprakisht prindërit.
Çfarë mesazhi i jepet një fëmije me këtë veprim? Çfarë traume psikologjike prodhon një ndërhyrje e tillë në një ambient që duhet të jetë i sigurt, shkolla?
Ky nuk është vetëm një veprim procedural i diskutueshëm, është një goditje mbi ndjeshmërinë, dinjitetin dhe sigurinë emocionale të një fëmije.
Rasti bëhet edhe më i rëndë kur një veprim i papjekur, në formë shakaje, ose ndonjë reagimi psikologjik si rezultat i frikës lidhur me situatën aktuale me kërcënimet nëpër shkolla, mes bashkëmoshatarësh (publikimi i një fotografie nga interneti, e cila më pas është fshirë), trajtohet në mënyrë disproporcionale, duke prodhuar pasoja të rënda publike dhe institucionale për një të mitur.
Për më tepër, publikimi i këtij rasti nga media dhe individë të caktuar përbën shkelje flagrante të:
parimit të prezumimit të pafajësisë,
mbrojtjes së identitetit të të miturve,
dhe standardeve ndërkombëtare të përcaktuara në Konventa për të Drejtat e Fëmijës.
Ky nuk është më një rast individual. Ky është një alarm institucional.
Si ish studente e juaja, e nderuar Presidente, më dhemb ta them se në praktikë, shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit nuk po funksionojnë në nivelin që kemi besuar dhe mësuar. Jam e bindur se ky konstatim nuk mund të kalojë pa një reflektim serioz nga ana juaj.
Në këtë kontekst, kërkoj publikisht:
Një takim urgjent institucional me Kryeministrin e vendit, për të paraqitur në mënyrë të detajuar këtë rast dhe shkeljet e evidentuara;
Hetim të plotë dhe të pavarur për veprimet e organeve të rendit dhe përgjegjësinë e mundshme;
Mbrojtje të menjëhershme të të drejtave të fëmijës, në përputhje me standardet ndërkombëtare;
Vendosje të përgjegjësisë ligjore për çdo shkelje të konstatuar, qoftë nga institucionet apo nga media.
Sepse sot është nipi im. Nesër mund të jetë çdo fëmijë.
Dhe askush nuk ka të drejtë t’ua marrë fëmijëve ndjenjën e sigurisë.
Me respekt,
Lulzana Murati, mbrojtese e lirive dhe te drejtave te njeriut në Avokati i Popullit

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo