Çmime më të ulëta për mbi 300 barna, përfshirë edhe “Ksalerton” për trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare

Ministria e Shëndetësisë informon publikun se është realizuar harmonizimi vjetor i çmimeve maksimale të barnave për vitin 2026, në përputhje me metodologjinë në fuqi për përcaktimin e çmimeve.

“Çmimet e barnave përbëjnë një instrument kyç për sigurimin e terapisë së përballueshme për qytetarët dhe për qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor. Prandaj, përcaktimi i tyre është një vendim strategjik me ndikim të drejtpërdrejtë në shpenzimet publike shëndetësore”, shpjegon ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Bazuar në analizat dhe negociatat, janë përcaktuar ulje të çmimeve maksimale për barnat ku ekzistojnë tregues të përshtatshëm të tregut.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë janë publikuar vendimet me çmimet e reja maksimale të ulura, ku ulje është arritur për:

156 barna origjinale

174 barna gjenerike

13 barna nga importi ndërhyrës

Çmimet e reja do të fillojnë të zbatohen nga 1 maji i këtij viti, pas një periudhe gjatë së cilës kompanitë farmaceutike do të harmonizojnë çmimet në tregun me shumicë dhe pakicë.

Veçanërisht theksohet ulja e çmimit të ilaçit “Ksalerto” (rivaroksaban), i cili përdoret në trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

Për këtë ilaç është arritur një ulje e konsiderueshme e çmimit në tregun me shumicë:

për tabletat 15 mg dhe 20 mg: nga 2.307,48 denarë në 1.606,10 denarë

për tabletat 10 mg: nga 824,10 denarë në 589,45 denarë

“Me këtë masë mundësohet rritja e qasjes në terapi për pacientët, sidomos duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një bar që shpesh blihej jashtë vendit për shkak të çmimeve më të ulëta”, thekson ministri Aliu.

Ministria e Shëndetësisë njofton se ky ilaç është prioritet për përfshirje në listën pozitive për kujdesin shëndetësor parësor gjatë vitit 2026. Propozimi tashmë është dorëzuar në Bordin Drejtues të Fondit për Sigurim Shëndetësor, dhe pritet të sjellë lehtësim shtesë të kostove për pacientët përmes rimbursimit nga shteti. Pacientët do të kenë gjithashtu të drejtën për të zgjedhur ilaçin nga prodhues të ndryshëm.

Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në krijimin e politikave që sigurojnë kujdes shëndetësor cilësor, të përballueshëm dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo