Iftar i veçantë me portierët e Akademisë së Shkëndijës, Hekuran Xheladini: Po ndërtojmë jo vetëm lojtarë, por edhe një familje
Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot respekt, portierët e Akademisë së KF Shkëndija janë mbledhur në një iftar të përbashkët, duke dëshmuar edhe një herë frymën e unitetit që mbretëron brenda klubit kuqezi shkruan Tetovasot.
Trajneri i portierëve në akademinë e klubit, Hekuran Xheladini, përmes një statusi në rrjetet sociale ka theksuar rëndësinë e këtij momenti, duke nënvizuar se përveç punës në fushë, në akademi ndërtohen edhe vlera njerëzore.
“Një mbrëmje e veçantë me portierët e Akademisë së Shkëndijës. Në sofrën e iftarit, jo vetëm si ekip, por si një familje e vërtetë. Respekt, bashkim dhe vlera që na bëjnë më të fortë brenda dhe jashtë fushës. Krenar me këta djem dhe rrugën që po ndërtojmë së bashku”, ka shkruar Xheladini.
Akademia e Shkëndijës prej vitesh njihet si një nga qendrat më të rëndësishme për zhvillimin e talenteve të reja në futboll, ndërsa portierët e rinj që po rriten në këtë akademi konsiderohen si një investim i rëndësishëm për të ardhmen e klubit.

Nën drejtimin e trajnerit Xheladini, gardianët e rinj të portës po përparojnë vazhdimisht, duke zhvilluar aftësitë teknike, disiplinën dhe mentalitetin e duhur sportiv. Shumë prej tyre shihen si talente premtuese që në të ardhmen mund të jenë pjesë e ekipit të parë të Shkëndijës apo edhe e përfaqësueseve të moshave transmeton Tetovasot.
Përveç stërvitjeve intensive dhe punës profesionale në fushë, në Akademinë e Shkëndijës i kushtohet rëndësi edhe edukimit, respektit dhe frymës së ekipit, vlera që i shoqërojnë këta të rinj jo vetëm si futbollistë, por edhe si individë.
Kjo është arsyeja pse momente të tilla, si iftari i përbashkët, shihen si një simbol i bashkimit dhe i rrugës që po ndërtohet për të ardhmen e klubit kuqezi.TS