“Parajsa” Dubai drejt fundosjes, patundshmëritë bien për 30%, miliona po humbin edhe qytetarë të Maqedonisë së Veriut?





Pasiguritë gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe përshkallëzimi i konfliktit rajonal kanë goditur ashpër stabilitetin ekonomik të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke shkaktuar një rënie drastike prej 30 për qind në tregun e patundshmërive në Dubai. Sipas të dhënave nga Indeksi i Patundshmërive (DFMREI), ky zhvlerësim ka nisur që prej fundit të shkurtit, periudhë që përkon me rritjen e tensioneve dhe sulmeve ndaj objektivave civile dhe ekonomike në rajon, përcjell INA.

Kjo krizë ka detyruar institucione financiare globale, si banka amerikane Citibank, të pezullojnë përkohësisht operacionet në filiale të caktuara, ndërkohë që sektori i turizmit po përballet me humbje të larta. Sipas raportimeve të agjencive botërore si Bloomberg dhe Reuters, pasiguria e krijuar nga sulmet e fundit ka zbehur statusin e Dubait si një “port i sigurt” për investimet e huaja.

Në këtë vorbull financiare janë ekspozuar edhe investitorë nga Maqedonia e Veriut. Referuar të dhënave nga hulumtimi i qendrës financiare norvegjeze “E24” dhe rrjetit investigativ OCCRP, të paktën 45 shtetas të Maqedonisë së Veriut figurojnë si pronarë të 55 njësive të patundshme në Dubai. Vlera e këtyre aseteve, e përllogaritur në rreth 14 milionë dollarë në vitin 2020, pritet të pësojë një goditje serioze si pasojë e tkurrjes aktuale të tregut.

Analistët paralajmërojnë se vazhdimësia e këtij trendi negativ mund të nxisë një tërheqje masive të kapitalit nga rajoni, duke i lënë investitorët ballkanikë përballë humbjeve të konsiderueshme financiare.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo