Në kohë të presionit global të çmimeve – Qeveria po monitoron situatën

Në kohë të presionit global të çmimeve – Qeveria po monitoron situatën, tregu reagon: zbritje nga OKTA dhe furnizim më i fortë përmes produkt-sjellësit
Në kushte të rritjes së paqëndrueshmërisë në tregjet globale të energjisë dhe situatës me derivatet e naftës në nivel botëror, Qeveria po e ndjek me kujdes gjendjen në tregun e brendshëm dhe është në koordinim të vazhdueshëm me kompanitë e sektorit me qëllim që të sigurohet furnizim i qëndrueshëm dhe të shmangen goditjet e çmimeve për qytetarët dhe ekonominë.
Në këtë drejtim, kompania OKTA njoftoi një iniciativë për mbështetje të tregut, me të cilën duke filluar nga sot e deri në fund të marsit do të sigurojë një zbritje prej 2,4 denarë për kilogram (2 denarë për litër) për dizelin dhe benzinën për tregtarët që furnizohen me karburant nga kompania. Me këtë krijohet hapësirë shtesë që një pjesë e lehtësimit të bartet edhe te konsumatorët përfundimtarë.
Ky hap vjen pas sigurimit të sasive shtesë të karburantit përmes produkt-sjellësit VARDAX, gjë që e forcon ndjeshëm furnizimin e tregut të brendshëm.
Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, e përshëndeti këtë hap, duke theksuar se në periudha të pasigurisë globale energjetike është veçanërisht e rëndësishme që institucionet dhe kompanitë të veprojnë në mënyrë të koordinuar.
“Në kohë kur tregjet ndërkombëtare të energjisë janë nën presion të madh dhe çmimet ndikohen nga zhvillimet globale, çdo iniciativë që mund të kontribuojë në zbutjen e presionit mbi qytetarët dhe bizneset është e rëndësishme. Presim që edhe kompanitë që operojnë në shitjen me pakicë ta ndjekin këtë shembull dhe zbritja të reflektohet edhe në çmimet që paguajnë qytetarët”, deklaroi ministrja Bozhinovska.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i OKTA, Dimitrios Paschos, deklaroi:
Si furnizues shoqërisht i përgjegjshëm i energjisë, OKTA duke filluar nga sot e deri në fund të muajit mars vendos zbritje prej 2 denarë për litër për dizelin dhe benzinën, për tregtarët me shumicë dhe pakicë që furnizohen me karburant nga OKTA, duke u mundësuar që këtë përfitim ta bartin te konsumatorët përfundimtarë. Megjithatë, tregtarët me shumicë dhe pakicë mbeten plotësisht të lirë t’i përcaktojnë vetë çmimet e tyre të shitjes. Kjo iniciativë pasqyron përkushtimin afatgjatë të OKTA për ta mbështetur tregun, familjet dhe bizneset në periudha sfidash të shtuara”, theksoi Paschos.
Ministrja Bozhinovska theksoi se pret nga tregtarët me pakicë që ta formojnë edhe çmimin e tyre në përputhje me zbritjen, në mënyrë që lehtësim të ndiejnë edhe qytetarët. Ajo nënvizoi se shteti po e ndjek seriozisht gjendjen në treg. Javën e kaluar në Qeveri u mbajt një takim koordinues me kryeministrin dhe me kompanitë e sektorit, ku u konstatua se kompanitë disponojnë rezerva të siguruara dhe import të qëndrueshëm të karburanteve, që do të thotë se në këtë moment furnizimi i tregut të brendshëm është stabil.
Megjithatë, siç u theksua në takim, çmimet në tregjet botërore janë nën presion nga ngjarjet globale, gjë që paraqet një faktor që ndikon edhe në çmimet e karburanteve në rajon.
Në këtë drejtim, Qeveria po i ndjek me kujdes lëvizjet në treg dhe po i shqyrton të gjithë mekanizmat që ka në dispozicion për mbrojtjen e qytetarëve, nëse presionet globale të çmimeve vazhdojnë. Ndër instrumentet e mundshme janë edhe korrigjimet e normave tatimore, si ulja e TVSH-së për karburantet, si dhe përshtatja e akcizave, varësisht nga lëvizjet e çmimeve botërore.
Në të njëjtën kohë, vënia në funksion dhe përdorimi i shtuar i produk-sjellësit VARDAX vjen në një moment veçanërisht të rëndësishëm, pasi forcon më tej sigurinë e furnizimit me karburante në vend dhe kontribuon në uljen e kostove të transportit, të cilat deri tani paguheshin për mënyra alternative të transportit.
” Në kushte të pasigurisë globale energjetike, furnizimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e standardit të qytetarëve mbeten prioriteti ynë. Qeveria do të vazhdojë ta ndjekë me kujdes situatën dhe do të ndërmarrë masa përkatëse nëse kjo do të jetë e nevojshme”, theksoi ministrja Bozhinovska.

Në kohë të presionit global të çmimeve – Qeveria po monitoron situatën

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo