Shkruan: Xhemil Zeqiri
Prej vitesh në skenën politike të Kosovës po konsolidohet një kulturë e rrezikshme politike: shpifja, manipulimi dhe propaganda po përdoren si armë për të diskredituar kundërshtarët politikë.
Në vend që debati politik të ndërtohet mbi ide, programe dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve, shpesh ai rrudhet, përçudnohet në akuza të pavërteta dhe ngjarje me rrëfime të fabrikuara, thjesht: në gënjeshtra.
LDK, PDK dhe AAK, parti këto, që kanë dominuar për një kohë të gjatë jetën politike në vend, mbajnë një përgjegjësi të veçantë për nivelin e ulët të veprimtarisë publike.
Në vend të një debati të ndershëm, shpesh kemi parë tentativa për të ndërtuar perceptime përmes shpifjeve dhe insinuatave.
Ironikisht, ideologu serb, Dobrica Qosiç dikur kishte deklaruar dikur se: “Mashtrimi është pjesë e kulturës politike serbe”.
Sot, me keqardhje, duket se metoda të ngjashme po përdoren edhe brenda politikës shqiptare, ku propaganda dhe shpifja shërbejnë si mjete për të ndikuar opinionin publik.
Rasti i fundit lidhet me shpifjen ndaj Albin Kurtit, kinse kishte lidhje me një vajzë serbe, madje ishte paraqitur një fotografi me një grup të rinjsh në Danimarkë. Këtë më së miri e ka demantuar atdhetari, Besnik Lajçi në fzb e tij. Kjo fotografi, është përhapur publikisht pa asnjë provë.
Në të njëjtën linjë, në TV Klan Kosova gazetari Vehbi Kajtazi, para ca kohësh deklaroi publikisht se, librin e Albin Kurtit “Zgjohu” e kanë financuar Devollët. Ky pretendim është i pavërtetë dhe përbën shpifje të pastër. E vërteta është shumë më e thjeshtë: financimi i atij libri është bërë personalisht nga unë. Kjo është një e vërtetë e verifikuar, por, megjithatë është injoruar nga ata që preferojnë metodat e shpifjes.
Kjo nuk është hera e parë që përhapen histori të tilla. Unë personalisht i kam dëgjuar këto pretendime të njëanshme edhe nga ish-kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli, i cili në kohën kur ishte Kryetar i Kuvendit i ka përhapur këto akuza përmes tregimeve për “Qebe”, “Golf” dhe histori të tjera të paqëndrueshme që nuk kanë asnjë bazë faktike.
Problemi më i madh nuk është vetëm shpifja, por normalizimi i saj. Kur figura publike, politikanë apo gazetarë hedhin akuza pa fakte dhe pa asnjë përgjegjësi, atëherë dëmtohet jo vetëm reputacioni i individëve, por edhe vetë besimi i qytetarëve në institucionet demokratike.
Kosova nuk ka nevojë për një politikë të ndërtuar mbi rrena dhe manipulime. Ajo ka nevojë për një debat të ndershëm, ku faktet dhe e vërteta të jenë themeli i diskursit publik.
Nëse politika vazhdon të ndërtohet kështu mbi shpifje, atëherë dëmi nuk është vetëm për individët që sulmohen, por për vetë demokracinë dhe kulturën politike të vendit.
Kopenhagë 13. 03.2026