A po e konfirmon zv.ministrja Zekolli devijimin e Korridorit 8 duke krijuar alibi të rrezikshme!?
Zëvendës ministrja e transportit, Kaltrina Zekolli, duke dashur të demantojë denoncimin e Kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, për qëllimet e Qeverisë për devijimin e Korridorit 8 dhe avancimin e Korridorit 10D në drejtim të Ohrit dhe Shqipërisë, po forcon edhe më shumë këto dyshime duke krijuar edhe alibi të rrezikshme që ju shërbejnë vetëm atyre që janë kundër shqiptarëve dhe kundër afrimit me Perëndimin.
Justifikimet me “UNESCON”, “trasenë e kontestuar” dhe të ngjashme, po japin indicje të qarta se kjo Qeveri ja ka vënë synin të bllokojë Korridorin 8, të izolojë dhe anashkalojë Pollogun, Kërçovën dhe Strugën dhe të realizojë lidhjen e Korridorit 10D me Manastirin-Ohrin.
Nuk mbajnë as zotimet se qenkan lëshuar mjete për vitin 2026, kur vetë kompania që realizon Korridorin 8 konfirmoi se pikërisht për shkak të mjeteve janë liruar nga puna mbi 50 të punësuar e që si pasojë janë bllokuar edhe punimet.
E nderuar zëvendës ministre, kjo nuk është betejë partiake e as politike, por Kombëtare dhe gjeostrategjike, andaj mos u merrni me opozitën dhe mos kërkoni justifikime. Me shumë sinqeritet, ju bëjmë thirje dhe ju ofrojmë mbështetjen tonë që këtë betejë ta zhvillojmë bashkë dhe të parandalojmë skenaret e errëta të partnerëve tuaj qeveritar. Luftoni e mbroni në institucione Korridorin 8 sepse janë momente vendimtare për të ardhmen që do të na gjykojë të gjithëve për atë çfarë kemi lejuar e nuk kemi parandaluar sot!
– Aleanca për Shqiptarët
Ziadin Sela, Kryetar