Mersel Bilalli
Udhëheqësi i parë fetar, Ajatollah Khomeini, shkroi një dekret para vdekjes së tij në vitin 1989 që
ndalonte sundimin trashëgues. Pardje, Mojtaba Khamenei e shkeli atë në mënyrë të vrazhdë. Disa
lavdërojnë Zotin, por ndjekin djallin!
Lufta kundër Iranit ka tronditur të gjithë botën. Nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur, një krizë e
rrezikshme globale jo vetëm që do të na trokasë në derë, por derës do i mshoj me çizme. Ngushtica e
Hormuzit, me gjerësi 33 km, midis Iranit, Omanit dhe Emirateve, mundëson kalimin e tankerëve të
mëdhenj që transportojnë rreth 34% të kërkesës botërore për naftë (17 milionë fuçi në ditë). Kjo naftë
vjen nga tetë vende në Gjirin Persik – Irani, Kuvajti, Arabia Saudite, Iraku, Bahreini, Emiratet, Omani dhe
Katari. Si duket India, e cila importon rreth 60% të nevojave të saj nga ky rajon, do të vuajë më shumë. E
dyta është Kina, e cila importon rreth 38% të nevojave të saj nga ky rajon. Vendi i tretë është Japonia, e
cila importon pothuajse 75% të nevojave të saj përmes këtij rajoni. E katërta është Arabia Saudite, pasi
75% e eksporteve të saj të naftës kalojnë nëpër këtë ngushticë dhe vetëm 10% përmes Kanalit të Suezit.
Vendet evropiane plotësojnë rreth 12% të nevojave të tyre për naftë përmes Ngushticës së Hormuzit, që
nuk është një sasi e vogël për ekonomitë e zhvilluara evropiane. Globalisht, rreth 31% e naftës botërore
kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Atje po zhvillohet një luftë. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar vendosjen më të madhe të trupave
amerikane në Lindjen e Mesme në 20 vitet e fundit, si pjesë e Operacionit “Epic Fury”. Vetëm 100 orët e
para u kushtuan amerikanëve rreth 5.82 miliardë dollarë për mbi 50,000 ushtarë, 200 avionë luftarakë,
dy transportues aeroplanësh, pesëmbëdhjetë shkatërrues dhe dhjetëra bombardues me rreze të gjatë
veprimi. Humbja më e madhe amerikane ishte radari i paralajmërimit të hershëm AN/FPS-132 prej 1.1
miliardë dollarësh në Bazën Ajrore Al-Udeid në Katar.
Sipas një analize nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), 3.1 miliardë dollarë u
shpenzuan për municione në 100 orët e para të operacionit, dhe këto kosto ende arrijnë në 758 milionë
dollarë çdo ditë. Është interesante se disa vende evropiane kanë ndaluar përdorimin e bazave
amerikane të vendosura në territoret e tyre, prandaj edhe nervozizmi i Trump. Duket se disa vende
evropiane duan t’i bëjnë të ditur Trump se poshtërimi i Evropës nga ai dhe J.D. Vance ka çmimin e vet.
Por prapëseprapë, Operacioni “Epic Fury” e ka rrafshuar dukshëm Iranin. Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së,
Pete Hegseth, tha për CBS News. “Marina iraniane është shkatërruar kryesisht. Rreth 90% e bazave
raketore të Iranit janë shkatërruar, Khamenei është vrarë dhe pasardhësi i tij është plagosur. Presidenti i
SHBA-së, Trump, më parë i tha ABC News – “Uashingtoni duhet të pyesë veten se kur do të zgjedhë një
udhëheqës të ri iranian. Nëse nuk merr miratimin tonë, kjo nuk do të zgjasë shumë.” “Aftësia e tyre për
të projektuar ndonjë fuqi në zonë në kuptimin detar po zvogëlohet dhe do të vazhdojë të zvogëlohet. Ky
është vetëm fillimi”, tha Pete Hegseth.
Regjimi iranian nuk bie me protesta!
Regjimi teokratik mesjetar i vendosur nga Ajatollah Khomeini në vitin 1979 dhe i vazhduar nga Khamenei
është treguar jashtëzakonisht i qëndrueshëm për 47 vjet. Nga kryengritja masive në vitin 2009 për
akuzat për mashtrim zgjedhor deri te protestat e fundit mbarëkombëtare, regjimi ka vrarë brutalisht mbi
35,000 njerëz, dhe shumë të tjerë kanë vuajtur për vite me radhë, të gjitha në emër të Allahut. Ata që
tani heshtin kanë më shumë për të thënë. Asnjë djall i zi nuk mund të vriste kaq shumë njerëz të
pafajshëm! Por, këtë e bëri regjimi teokratik mesjetar i vendosur nga Ajatollah Khomeini dhe i vazhduar
nga Khamenei. Por ekziston një thënie që edhe e gjithë errësira e botës nuk mund ta zbehë dritën e një
qiriu të vetëm. Gjithmonë ka nga ata që shpresojnë se mëshira e Zotit nuk do t’ju ruaj nga sundimi i
djallit.
Teherani me krenari (dhe tani në mënyrë të rreme) përdor fjalën “Republikë” ndërsa vepron si një
monarki mizore mesjetare e trashëguar. Ali Khamenei i vrarë u pasua nga djali i tij Mojtaba Khamenei!
Një shkelje brutale e Kushtetutës dhe një grusht shteti nga Garda Revolucionare Iraniane (një organizatë
e ngjashme me Gestapon famëkeqe). Ai personalisht, në janar, urdhëroi Gardën Revolucionare Iraniane
të shtypte brutalisht protestat. Ai po shet “Islamin e shenjtë”, por po ndërton një perandori të fshehtë të
pasurive të patundshme me vlerë dhjetëra miliardë euro (një pjesë e saj në Mbretërinë e Bashkuar)!
Si do të përfundojë lufta?
Opsioni i parë është një rebelim brenda Gardës Revolucionare, e cila është shtylla kurrizore e regjimit.
Pasi regjimi të dobësohet, më të moderuarit mund ta rrëzojnë lehtësisht qeverinë. Ata do të ndalonin
programin bërthamor, duke përfshirë centrifugat dhe një rezervë prej rreth 440 kilogramësh uranium të
pasuruar shumë. Irani do të hiqte dorë nga zhvillimi i raketave me rreze të gjatë veprimi, ndërsa në të
njëjtën kohë do t’u jepte kompanive perëndimore të naftës akses dominues në tregun e energjisë së
vendit. Opsioni i dytë është një ripërtëritje e protestave, me argumente shtesë si “pse të shkojmë në
luftë kur vetë udhëheqësi i vetëshpallur ka bërë fshehurazi marrëveshje me qendrat e vendosjes”!
Një tjetër mundësi (që po shqyrtohet aktualisht) do të ishte që Trump, si një figurë kundër luftës, të
shpallte një lloj fitoreje dhe të tërhiqte forcat, ndërsa Izraeli të vazhdon sulmet e tij të rralla me resurse
të kufizuara. Por rreziku i këtij opsioni është që programet bërthamore dhe raketore të Iranit të jenë më
të fshehta dhe larg inspektorëve ndërkombëtarë. Një rrezik shtesë do të ishte nëse ndalimi fetar për
prodhimin e armëve bërthamore hiqet dhe Irani përpiqet të zhvillojë një bombë bërthamore duke
përdorur rezervat e tij ekzistuese të uraniumit të pasuruar. Në një skenar të tillë, Irani mund të bëhet një
shtet i izoluar dhe i militarizuar me armë bërthamore, i ngjashëm me Korenë e Veriut.
Mundësia e tretë (nëse ato të mëparshmet dështojnë) është që lëvizjet separatiste etnike të pushtojnë
territorin iranian. Pakica më e madhe në Iran janë azerët (azerbajxhanasit iranianë), të cilët përbëjnë
17.1% të popullsisë totale të Iranit (që është rreth 15.3 milionë). Ata mund të shkëputen lehtësisht nga
Irani dhe t’i bashkohen Azerbajxhanit nëse marrin një sinjal të vogël nga Turqia dhe Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, për momentin, Turqia nuk e preferon këtë sepse e di që nëse azerbajxhanasit shkëputen nga
Irani, kjo mund të frymëzojë kurdët turq në pjesën e saj juglindore. Informacionet thonë se formacionet
ushtarake kurde janë formuar tashmë në Iran dhe se ata kontrollojnë në mënyrë efektive një pjesë të
territorit iranian. Konkretisht, kurdët iranianë janë pakica e dytë në Iran (10.3%) dhe kufizohen me
kurdët e Irakut verior dhe Sirisë verilindore (të cilët tashmë kanë autonominë e tyre de facto). Ideja e
tyre është të krijojnë një shtet kurd me rreth 25 milionë banorë. Duke pasur parasysh afërsinë e këtij
kombi me Shtetet e Bashkuara, një autonomi e tretë (tani në Iran) nuk përjashtohet fare.
“CIA po punon për një plan për të armatosur forcat kurde iraniane për të nxitur një kryengritje popullore
në Iran”, thanë burimet për CNN. Ka gjithashtu mazandaranë (rreth 5 milionë), lurë (rreth 5.5 milionë)
dhe baluçë (rreth 2.5 milionë) që janë të pakënaqur me statusin e tyre dhe regjimin e ajatollahëve. Khiva
Bahrami, përfaqësuese ndërkombëtare e Partisë Demokratike të Kurdistanit Iranian (PDKI), pohon se
njësitë kurde dhe baluçë në terren janë të afta të mbajnë përgjithmonë territorin e tyre. Forcat
Peshmerga, thotë Bahrami, “mund të mobilizojnë qindra mijëra njerëz”. Disa e dinë se nuk ka mundësi
të humbura, por kohë të humbur.