Minçev: Duhet ta destigmatizojmë termin administrator dhe ta transformojmë atë në një profesionist në shërbimin publik
Elementi më i rëndësishëm në reformën e administratës publike është kapitali njerëzor, i cili nuk është vetëm një burim, por një kujtesë institucionale dhe fytyra e shtetit para qytetarëve, investimi në njohuri nuk duhet parë si kosto, por si investim kapital, i cili do t’i përforcojë institucionet, do ta përmirësojë shërbimin ndaj qytetarëve dhe do të kontribuojë në procesin eurointegrues të vendit, u theksua sot në hapjen e ngjarjes së Grupit tematik për menaxhim me burimet njerëzore dhe zhvillimin profesional (HRMPD), të quajtur “Ndërtimi i kapaciteteve të institucioneve për trajnim të nëpunësve publik”, i organizuar nga Ministria e Administratës Publike, në bashkëpunim me Shkollën rajonale për administratë publike (ReSPA), Ambasadën e Francës dhe Qendrën për Menaxhim me Ndryshimet.
Qëllimi i ngjarjes dyditëshe, në të cilën marrin pjesë mjekë dhe përfaqësues të lartë të institucioneve për trajnim të nëpunësve publik nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, është shkëmbimi i ideve për përforcimin e kapaciteteve institucionale, shkëmbimi i praktikave të mira dhe avancimi i sistemeve për zhvillim profesional në administratën publike në drejtim të hapjes së ardhshme të Akademisë për avancim profesional, si një organ i veçantë në përbërjen e Ministrisë së Administratës Publike, e cila do të fillojë me punë në fillim të vitit 2027.
Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev në fjalën hyrëse të ngjarjes thekson se transformimi i termit administrator në profesionist në shërbimin publik fillon me programe cilësore dhe vizion që i tejkalon ciklet politike.
“Justifikimi për themelimin e Akademisë qëndron në kuptimin se profesionalizmi dhe kapaciteti i nëpunësit janë çelësi i qëndrueshmërisë së të gjithë administratës shtetërore. Përveç kësaj agjende kyçe reformash, ligji prezanton gjithashtu një qasje sistematike ndaj ndërtimit të kapaciteteve, pra menaxhimin e centralizuar të trajnimit administrativ. Trajnim i detyrueshëm për personat që punësohen si nëpunës shtetëror për herë të parë dhe kryerja e një provimi pas përfundimit të këtij trajnimi. Gjithashtu vendoset edhe standardizimi, i cili është vendosja e kritereve të qarta për atë se kush kryen trajnimin dhe metodologjinë dhe si kryhet trajnimi. Për më tepër, matja e efekteve. Në vend të vetëm sasisë, ne përqendrohemi në cilësinë dhe ndikimin e asaj që është mësuar në punën e nëpunësve. Pritjet nga ky ligj janë të larta. Presim fundin e improvizimeve dhe fillimin e një epoke të re ku njohuritë, aftësitë dhe rezultatet e demonstruara të nëpunësve do të lidhen drejtpërdrejt me avancimin e tyre në karrierë. Detyra jonë është të krijojmë një kulturë të të mësuarit gjatë gjithë jetës. Duhet ta destigmatizojmë termin administrator dhe ta transformojmë atë në një profesionist në shërbimin publik. Kjo fillon me programe cilësore, trajnerë adekuat dhe një vizion që tejkalon ciklet politike”, tha Minçev.
Ai tha se fokusi, kur flitet për administratën publike, shpesh herë vihet në procedura, zgjidhje ligjore ose sërish digjitalizim të proceseve, por, siç tha, e vërteta është se asnjë reformë nuk mund të arrijë pa elementin më të rëndësishëm, që është kapitali njerëzor.
“Në administratë kapitali njerëzor nuk është vetëm burim. Është një kujtesë institucionale dhe fytyra e shtetit para qytetarëve. Investimin në njohuri nuk duhet ta shohim si kosto, por si investim kapital. Për një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, siç është vendi ynë, kjo është një çështje mbijetese në sistemin e ri. Standardet evropiane nuk janë vetëm korniza juridike, ato janë mënyrë e punës që kërkon profesionistë kompetent, etik dhe shumë të trajnuar”, theksoi Minçev.
Ai theksoi se, si një vend që mbështet fuqimisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, reformat nuk po zbatohen vetëm për të shënuar kërkesat nga Brukseli si të përmbushura, por për të ndërtuar një sistem që do të jetë i pajtueshëm me hapësirën administrative evropiane, ku nëpunësi është një shërbim, jo një barrierë për qytetarët.
“Nëpunësit tanë janë nën një presion të madh sot. Ata duhet të përshtaten shpejt me ndryshimet ekzistuese ligjore, njohuritë digjitale në një epokë të teknologjisë së përshpejtuar, por edhe t’i rezistojnë ndikimeve politike përmes një qasjeje profesionale. Ne mund t’i kapërcejmë këto sfida duke zhvilluar kapacitetet e nëpunësve civilë, të cilat në fund të fundit do të kontribuojnë në efikasitet në vend të burokracisë. Një nëpunës civil i trajnuar nuk e ndjek verbërisht procesin, por e kupton rezultatin e tij. Dituria sjell kompetencë dhe shpejtësi, dhe me to vjen kënaqësia e qytetarëve. Përshtatje ndaj ndryshimeve, bota po ndryshon me një ritëm të paparë. Akademitë tona duhet t’i përgatisin nëpunësit jo për atë që është administrata sot, por për atë që do të jetë pas disa vitesh. Fleksibiliteti mësohet përmes edukimit të vazhdueshëm. Mbajtja e stafit cilësor, në një kohë kur sektori privat është një konkurrent i fortë, mundësia për zhvillim profesional është një nga motivet kryesore që ekspertët më të mirë të qëndrojnë në shërbimin shtetëror. Njerëzit qëndrojnë aty ku ndihen të vlerësuar dhe ku rriten”, tha Minçev.
Ministri theksoi se me qëllim të rritjes së efikasitetit të administratës publike, është miratuar një paketë prej katër ligjesh kryesore reformuese – Ligji për nëpunësit administrativë, Ligji për punonjësit në sektorin publik, Ligji për zhvillimin profesional dhe trajnimin e nëpunësve administrativë dhe Ligji për mbikëqyrjen inspektuese, të cilat do të mundësojnë avancim bazuar në meritë, lëvizshmëri më të madhe të brendshme dhe masa për motivim më të mirë dhe mbajtje të stafit cilësor, veçanërisht në institucionet e përfshira në procesin e integrimit evropian. Ai shtoi se Ligji për zhvillimin profesional dhe trajnimin e nëpunësve administrativë është baza për themelimin e një Akademie për Zhvillim Profesional, si një organ i veçantë brenda Ministrisë së Administratës Publike, e cila do të fillojë të funksionojë në fillim të vitit 2027.
Ambasadori francez Kristof Le Rigoler theksoi se Franca është seriozisht e përkushtuar në mbështetjen e reformës së administratës publike në vend dhe rajon.
“Kjo ngjarje e sotme është pjesë e programit të ReSPA, por njëkohësisht është e përfshirë edhe në prtojektin dypalësh mes Francës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbështetje të plotë të shtetit në përpjekjet e tij për modernizimin e administratës publike. Kjo përpjekje vjen nga viti i kaluar kur ministri Minçev dhe unë nënshkruam memorandum mirëkuptimi mes institucioneve tona. Objektivi i parë i projektit dypalësh ishte të mbështetet faza përgatitore për themelimin e Akademisë së ardhshme të Trajnimit, siç tha ministri, dhe presim që ajo të fillojë funksionimin në fillim të vitit 2027. Objektivi i dytë është të ofrojë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të praktikave më të mira në trajnimin e nëpunësve publikë, bazuar jo vetëm në përvojën franceze, por edhe në përvojën e shteteve të tjera anëtare. Reforma e administratës publike është në thelb të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në këtë drejtim kjo reformë është një shtyllë kryesore në procesin e para-anëtarësimit në BE, një element strukturor dhe një parakusht i rëndësishëm për kornizën negociuese, pasi është një nga standardet kryesore që duhet të hapen për Maqedoninë e Veriut si vend kandidat për në BE”, tha ambasadori francez.
Ai tha se edhe Franca është në fazën e reformave dhe transformimit të administratës së saj publike dhe theksoi se reformimi i institucioneve publike kërkon shumë kohë, ndonjëherë është jo e popullarizuar, megjithatë është shumë e rëndësishme të përforcohet besimi i qytetarëve në institucionet publike.
Zëvendës shefi i delegacionit të BE-së, Ben Nupnau tha se duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje motorit, i cili është shtytës i këtij procesi të rritjes së profesionalizmit të administratës publike.
Drejtoresha e ReSPA, Maja Hanxhiska Trendafilova e theksoi ekspertizën e Francës dhe bashkëpunimit të tyre strategjik me ReSPA, duke theksuar se prej më parë janë bërë model dhe shembull i shkëlqyer për atë se si mundet përvoja dypalëshe të thellohet në një vlerë publike rajonale me shfrytëzimin, përdorimin e qasjes rajonale të ReSPA.
Ajo përmendi se shpesh herë institucionet për trajnim ballafaqohen me burime të pamjaftueshme, veçanërisht në proceset për menaxhimin me ndryshimet dhe digjitalizimin.