Mexhiti: Modeli më i përshtatshëm për VLEN është të jetë me bashkëkryetarë, bashkë me Bilall Kasamin
Njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti, në një intervistë për Alsat-M ka thënë se partia është dakorduar për modelin me bashkëkryetarë, për të organizuar më mirë strukturën e saj si parti politike.
“Pas shumë debateve dhe argumentesh, pro dhe kundër, u dakorduam që modeli më i përshtatshëm për VLEN është të ketë bashkëkryetarë, bashkë me Bilall Kasami,” tha Mexhiti.
Ai shtoi se janë dakorduar rreth ideologjisë së VLEN, që do të jetë më shumë qendër e djathtë.
“Është zgjedhur modeli i lidershipit që është një risi. Karakteristikë e VLEN është dialogu dhe jo vendimet autokrate. Edhe pse është modeli i bashkëkryetarëve, brenda kryesisë vendimet do të merren me konsensus; nëse ka ndonjë dilemë, do të shkohet me shumicë absolute, jo të thjeshtë. Krejt kjo është në funksion të demokratizimit të skenës politike,” tha Mexhiti.
Sipas tij, ndryshimet në Kosovë kanë pasur efekt edhe në kampusin politik shqiptarë në Maqedoni, dhe VLEN është pjesë e këtij rrjeti politik. “Në retrospektivë, ka qenë koalicioni LEN, pastaj VLEN. Bekim Qoku është kryetar i grupit parlamentar të VLEN, pjesë përbërëse e kryesisë së ngushtë dhe parashihet të jetë në pozitën e nënkryetarit,” tha Mexhiti.
Lidhur me kampusin e ri të UNT, Mexhiti tha se shuma mund të arrijë deri në 60 milionë euro. Kampusi do të përfshijë amfiteatro, pishina, salla sportive dhe gjithë elementët e nevojshëm për një arsimin bashkëkohor.
“Ky është një prokurim kornizë që nuk kërkon fondet e plota menjëherë, por qeveria garanton mbështetje për këtë projekt. Investimi mund të shkojë deri në 60 milionë euro dhe është më i madhi në arsimin shqip që nga ekzistenca e Maqedonisë, qoftë në periudhën e komunizmit, qoftë në atë pluraliste,” tha ai.
Ai shtoi se ndryshimet në projekt janë të natyrshme, duke pasur parasysh se shuma fillestare e ndërtimit ishte planifikuar ndryshe. Procedura e prokurimit është kornizë dhe nuk kërkon fond të plotë, por qeveria garanton mbështetje dhe realizim të projektit.
Duke iu përgjigjur kritikave të BDI-Çair lidhur me mundësinë e vonesave në projekt, Mexhiti tha se opozita nuk e ka kuptuar rëndësinë e këtij investimi historik. “Unë e kuptoj që opozita duhet të kritikojë, por në raste të tilla historike duhet të tejkalojnë veten. Kur ndodh investimi më i madh në arsimin shqip, opozita duhet të thotë se është punë e mirë. Akuzat e tyre nuk mbajnë dhe nuk i kanë mirë matematikat,” tha Mexhiti.
Ai shtoi se opozita mund të kritikojë VLEN për çështje të tjera, por kur bëhet fjalë për një projekt kaq të rëndësishëm për arsimin shqiptar, duhet të shihet si një përfitim historik.