VV u ankua në Kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit, Presidentja po pret Gjykatën për ta shpallur datën e zgjedhjeve

Presidenca e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se Presidentja Vjosa Osmani ende nuk e ka nënshkruar dekretin për datën e zgjedhjeve, duke qenë se është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse kjo e fundit e vlerëson si të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme.

Pak kohë pasi Vetëvendosje njoftoi se e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, Presidenca ka sqaruar se në takimin konsultativ me partitë politike është bërë e qartë se çdo hap i mëtejshëm në caktimin e datës së zgjedhjeve do të bëhet pas vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke ritheksuar se masa në asnjë moment nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit,”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani.

Pak mw parw shefja e Grupit Parlamentar tw Lwvizjes Vetwvendosje, Arbwrie Nagavci njoftoi se kjo parti e ka dorwzuar nw Kushtetuese kwrkeswn për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit nr. 24/2026, të datës 06.03.2026, të Presidentes së Republikës së Kosovës, lidhur me shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ajo tha se kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e këtij dekreti, deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.

“Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit. Roli i Presidentit në këtë proces është strikt i kushtëzuar dhe aktivizohet vetëm në rrethanat e përcaktuara qartë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Çdo veprim jashtë këtyre kufijve përbën tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe cenim serioz të parimit themelor të ndarjes së pushteteve, të sanksionuar në nenin 4, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.”, tha Nagavci.

Sipas saj, në një shtet demokratik, asnjë institucion dhe asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi Kushtetutën apo jashtë saj.

“Përpjekjet për të ushtruar kompetenca që nuk janë të përcaktuara qartë me Kushtetutë jo vetëm që dëmtojnë rendin kushtetues, por rrezikojnë edhe vetë funksionimin demokratik të institucioneve. Presim që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë këtë çështje me prioritet dhe të japë sa më shpejt një vendim, në mënyrë që të parandalohet çdo cenim i mëtejmë i rendit kushtetues dhe i parimit të ndarjes së pushteteve.”, shkroi Nagavci.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo