Aliu: Me pajisjet e reja në Fakultetin e Elektroteknikës dhe Teknologjive të Informacionit (FEIT) përmirësohet mbrojtja e personelit mjekësor nga rrezatimi jonizues
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot vizitoi laboratorin e fizikës së rrezatimit në kuadër të Fakultetit të Elektroteknikës dhe Teknologjive të Informacionit (FEIT) pranë Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” (UKIM). Bëhet fjalë për një laborator të akredituar sipas standardeve të përcaktuara të cilësisë, i cili përveç akreditimit për detektimin e ushqimit dhe materialeve të trajtuara me rrezatim jonizues, ka edhe akreditim për monitorimin personal dozimetri të personave të ekspozuar profesionalisht ndaj rrezatimit jonizues.
Monitorimi kryhet për persona në institucionet mjekësore, të përfshirë në programet ligjore të monitorimit.
“Laboratori i fizikës së rrezatimit është pajisur me pajisje të reja, të siguruara si grant nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), të cilat do të mundësojnë monitorim dozimetri më cilësor dhe zgjerimin e numrit të punonjësve shëndetësorë të përfshirë në këtë program ligjor. Në vendin tonë ekzistojnë vetëm tre laboratorë të akredituar për realizimin e monitorimit personal dozimetri, ndër të cilët janë Instituti i Shëndetit Publik dhe laboratori pranë FEIT-it, i cili përfaqëson një shembull se si përmes fondeve ndërkombëtare dhe me mbështetjen e shtetit mund të zhvillohen kapacitetet e universiteteve, si në veprimtarinë kërkimore-shkencore ashtu edhe në atë aplikative”, theksoi ministri Aliu.
Gjatë vizitës, dekani i Fakultetit të Elektroteknikës dhe Teknologjive të Informacionit (FEIT), prof. dr. Vladimir Atanasovski, theksoi se FEIT sot përfaqëson një institucion udhëheqës në vend në zhvillimin e infrastrukturës kërkimore-shkencore dhe ekspertizës në disa fusha teknologjike.
“Qëllimi ynë është që përmes kësaj infrastrukture të kontribuojmë në edukimin e kuadrove shumë të kualifikuara dhe në mbështetjen e sistemit shëndetësor, veçanërisht në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi dhe fizikës mjekësore”, – theksoi prof. dr. Atanasovski.
Prof. dr. Hristina Spasevska, drejtuese e laboratorit të fizikës së rrezatimit në FEIT, informoi se aktualisht laboratori kryen monitorim dozimetri për 168 punonjës shëndetësorë, ndërsa është në proces angazhimi për edhe 207 persona të tjerë. Me pajisjet e reja të siguruara nga IAEA do të mundësohet monitorimi i rreth 550 punonjësve shëndetësorë, duke e vendosur laboratorin si një faktor të rëndësishëm për sigurinë nga rrezatimi në mjekësi.