Dimitrieska-Koçoska: Ekonomia jonë është e qëndrueshme dhe rezistente ndaj sfidave që po ndodhin në suaza globale

Rritja e PBB-së prej 3.5% në vitin 2025, e publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikave, nuk është vetëm rritje e Qeverisë, por edhe rezultat i përbashkët me sektorin privat dhe besimit të fuqishëm midis të dyja palëve. Kjo u theksua nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska në diskutimin e sotëm në Qeveri me temën “Rritja ekonomike – siguria ekonomike e qytetarëve”.

“E rëndësishme është se kompanitë maqedonase funksionojnë në rrethana të pasigurisë globale, që në të gjitha vendet e Evropës krijon rezultate në rënie kur bëhet fjalë për PBB-në dhe madje kemi edhe partnerë ekonomikë të cilët po shkojnë drejt rënies. Për dallim nga kjo, ekonomia jonë ka treguar se është stabile dhe mjaft rezistente ndaj të gjitha këtyre sfidave të cilat po ndodhin në suaza globale”, theksoi ministrja e Financave.

Ajo vuri në dukje përmes shifrave ndryshimet që filluan me ardhjen e pushtetit të ri në vitin 2024. Përveç kësaj nënvizoi se rritja mesatare e PBB-së gjatë periudhës së Qeverisë paraprake ishte 1.9%, në dy tremujorët e parë të vitit 2024 shënon 2.3%, ndërsa në dy tremujorët e ardhshëm të vitit 2024 pas ndërrimit të pushtetit, rritja e PBB-së arriti në 3.6%. Kjo, sipas ministres, tregon se me ndërrimin e Qeverisë, ekonomia pret sinjale pozitive nga Qeveria dhe se kjo është konfirmuar gjatë gjithë kësaj periudhe prej një viti e gjysmë.

Ministrja shtoi se aspekt krucial për arritjen e rezultateve të tilla është ndryshimi në rrjedhat ekonomike. Ajo theksoi se tërheqja e huasë nga Banka Hungareze e Eksportit-Importit, e destinuar për sektorin privat, u realizua në momentin e duhur dhe se tashmë janë tërhequr 224 milionë euro, të cilat kanë kontribuar në ruajtjen e ekonomisë dhe shtimin e vlerës, duke arritur norma rritjeje. Ajo gjithashtu ritheksoi 250 milionë eurot nga kjo linjë kreditore të destinuara për komunat, ku gjithashtu ka një nivel serioz realizimi. Për ministren, ndikimi në rezultatet pozitive në rritjen e PBB-së është edhe rritja e kredive të korporatave prej 15%, që tregon ekzistencën e mjedisit pozitiv ekonomik.

Në panelin e diskutimit, ministrja theksoi edhe rëndësinë e faktit se rritja u regjistrua në të gjitha veprimtaritë, edhe pse eksporti neto pati vlerën më të lartë të shtuar.

Sipas ministres, Ministria e Financave ëhtë nisur nga aspekti i projeksioneve reale për rritjen e PBB-së gjatë viteve paraprake.

“Për dy vjet me radhë, ajo që kemi arritur ka qenë mbi atë që ishte planifikuar. Kjo na ka siguruar stabilitet, konsolidim fiskal dhe ulje graduale të deficitit buxhetor, fakt ky që tregon edhe një herë se rritja e PBB-së nxitet nga shteti që mbështet investimet, por edhe sektori privat është kryesor, pa të cilin këto rezultate do të ishin të pamundura. Si rezultat i projektimit tonë të kujdesshëm dhe shpenzimeve të kujdesshme, borxhi publik, që nga 31 dhjetori i vitit 2025 shënon 59.3%”.

Në panel diskutimin morën pjesë edhe Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, si dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo