
Sot mediat po paralajmërojnë një tjetër spektakël politik për nesër, një cirk të radhës, i paketuar si “bashkim” dhe “unifikim” i Vlenit. Sipas mediave të afërta me ta, vendi i zgjedhur për këtë skenografi është Prekazi. Dhe, këtu qëndron një nga ironitë më të mëdha dhe më të dhimbshme. Prekazi nuk është skenë për marketing e mashtrim politik. Prekazi është simbol i rezistencës, sakrificës dhe çlirimit. Ta përdorësh Prekazin për të mbuluar përçarjet e brendshme dhe nënshtrimin politik që ua bëni shqiptarëve përditë është keqpërdorim i rëndë dhe i pafalshëm i historisë.
Tani ta freskojmë pak memorien kolektive
Menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, drejtuesit e VLEN-it e shpallën me bujë të idenë se shumë shpejt do të bëheshin NJË parti. Kjo u prezantua si moment historik për bashkimin politik të shqiptarëve. Kaloi gati një vit dhe VLEN-i nuk u bë kurrë një parti e vetme. Përkundrazi, në vend të bashkimit, ndodhi e kundërta…përçarje, largime dhe konflikte të brendshme. Nga ky koalicion u shkëput edhe Arben Taravari, për arsye që tashmë janë të njohura publikisht, disfunksionaliteti total brenda VLEN-it dhe refuzimi i tij për të qëndruar në pozitë inferiore e të nënshtruar në qeveri.
Pas kësaj, për të zbutur goditjen politike, VLEN-i doli në konferencë për media dhe përsëriti të njëjtën frazë: “Këto ditë do të bëhemi një parti.” Por, sikurse ajo përalla e mësitit “nga ajo e enjte në këtë të enjte”, kaloi sërish pothuajse një vit. Asgjë nuk ndodhi. VLEN-i nuk u bë një, përkundrazi u copëtua edhe më shumë. Secila parti përbrenda ka përçarjet e veta. Përsëri ka largime. Në atë strukturë nuk janë më Fatmir Limani, nuk është as Arben Fetai, mungojnë edhe edhe plot themelues të Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit.
Nesër VLEN-i në vend të NJË po bëheshka DY –”Izet dhe Bilall”, të tjerët janë aty janë me ua mbajt zhagun këtyre DY-ve, që shkatërrimin e brendshëm t’ua shesin shqiptarëve si bashkim. Aty është kryeministri që ua mban dizginat.
VLEN-i NJË, as nuk ka qenë kurrë, as kurrë nuk do bëhet.
Dhe, në Kotecin ku këndojnë DY gjela, pulat nuk bëjnë vezë.