SHMK “7 Marsi” hap Javën e Patronatit me veprimtari shkencore në lëndën e Fizikës





Gjimnazi ” 7 Marsi”, hapi zyrtarisht Javën e Patronatit me veprimtari shkencore në lëndën e Fizikës
Në kuadër të festave të 1 dhe 7 Marsit informon Tetovasot.Me këtë rast, shkolla jonë hapi zyrtarisht Javën e Patronatit me një veprimtari shkencore të organizuar nga aktivi i lëndës së Fizikës, duke e shndërruar ambientin shkollor në një hapësirë të vërtetë kërkimi, bashkëpunimi dhe kreativiteti.
Në qendër të aktivitetit ishin nxënësit, të cilët me përkushtim dhe përgjegjësi prezantuan një sërë eksperimentesh mbi rrymën elektrike, qarkun elektrik, përçueshmërinë dhe sigurinë gjatë punës me pajisje elektrike. Përmes demonstrimeve praktike dhe shpjegimeve të qarta shkencore, ata dëshmuan jo vetëm njohuritë teorike të fituara gjatë mësimit, por edhe aftësinë për t’i zbatuar ato në situata reale.
Prezantimet u shoqëruan me diskutime të hapura, ku nxënësit iu përgjigjën pyetjeve të bashkëmoshatarëve dhe mësimdhënësve, duke krijuar një klimë aktive mësimore dhe duke forcuar më tej interesin për shkencat natyrore.
Veprimtaria u pasurua edhe me ligjërata tematike nga prof. Redona Bexheti dhe prof. Mimoza F. Izairi, të cilat iu kushtuan Ditës së Radioaktivitetit dhe zhvillimit të shkencës moderne, me theks të veçantë në rëndësinë që ka kërkimi shkencor për përparimin e shoqërisë dhe mirëqenien e njeriut.
Ligjërueset u ndalën në mënyrë të veçantë te ndikimi i radioaktivitetit në fushën e mjekësisë, industrisë dhe teknologjisë, duke sqaruar se si zbulimet shkencore, përveç dimensionit teorik, kanë sot rol vendimtar në diagnostikim, terapi dhe zhvillim teknologjik.
Marie Curie , figura që i dha drejtim shkencor studimit të radioaktivitetit
Në këtë aktivitet u përkujtua edhe figura e shquar e Marie Curie, si një nga personalitetet më të rëndësishme të historisë së shkencës. U theksua se ajo i dha kuptim dhe drejtim shkencor studimit të radioaktivitetit, duke hapur rrugë të reja në fizikë dhe mjekësi dhe duke ndikuar thellësisht në zhvillimin e shkencës bashkëkohore transmeton Tetovasot.
Njëkohësisht, gjatë ligjëratave u nënvizua fuqishëm edhe roli i gruas në shkencë, si shtyllë e dijes, inovacionit dhe suksesit, duke theksuar se shembulli i Marie Curie mbetet frymëzim i vazhdueshëm për vajzat dhe djemtë e rinj që synojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në fushat shkencore.
Organizatorët vlerësuan angazhimin e nxënësve dhe bashkëpunimin e mësimdhënësve, duke theksuar se aktivitete të tilla përbëjnë një ndër format më të mira për të nxitur mendimin kritik, kuriozitetin shkencor dhe dashurinë për dijen.
Hapja e Javës së Patronatit me këtë veprimtari shkencore konfirmoi edhe një herë se shkolla jonë synon të ndërtojë një kulturë arsimore ku teoria dhe praktika ecin paralelisht, ndërsa nxënësit inkurajohen të shohin shkencën jo vetëm si lëndë mësimore, por si mundësi reale për zhvillim personal dhe profesional.TS

SHMK “7 Marsi” hap Javën e Patronatit me veprimtari shkencore në lëndën e Fizikës

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo