Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj: Universiteti i Tetovës lindi nga vendimi i guximshëm historik

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z.Bajram Begaj, sot realizoi vizitë zyrtare në Universitetin e Tetovës. Në këtë institucion të arsimit sipëror në gjuhën shqipe, Presidenti Begaj u prit nga Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati, Sekretari i përgjithshëm, z. Adem Beadini, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektorja për Financa, Prof. Dr. Aida Yzeiri–Baftijari, Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri, Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Salajdin Salihi, kryetari i Kuvendit Studentor, Leart Ibraimi si dhe senatorë, profesorë, studentë dhe punonjës të tjerë.

Në fjalën e tij të mirëseardhjes, Rektori i UT-së e falënderoi për mbështetjen e pakursyer që Republika e Shqipërisë i ka dhënë Universitetit të Tetovës që nga vitet e themelimit, ngritjes dhe zhvillimit të vazhdueshëm. Ai më tej shtoi se Universiteti i Tiranës, në momentet më të vështira, i zgjati dorën kësaj vatre të dijes dhe kështu, bashkërisht, u tejkaluan ditët jo të lehta për këtë institucion, ndaj falë ndihmës së çmuar dhe përkushtimit të përbashkët, sot janë arritur suksese bashkëpunimi edhe me Washington DC.

Ndërkaq, Presidenti Begaj u shpreh se për të është nder, privilegj dhe kënaqësi që ndodhet në Universitetin e Tetovës, në tempullin e dijes. “Ky institucion nuk lindi nga ndonjë vendim administrativ, por nga një vendim i guximshëm historik. Universiteti i Tetovës është një institucion publik që sot i shërben shoqërisë, shkencës, por mbi të gjitha i shërben së ardhmes. Shqiptarët dhe Tetova kanë ditur ta shndërrojnë aspiratën për dije në një projekt solid dhe të qëndrueshëm, dhe kjo është arsyeja që ky takim i sotëm ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe për mua”, theksoi z.Bajram Begaj.

Ai ndër të tjera shtoi se Shqipëria e sheh arsimimin shqip në Maqedoninë e Veriut si pjesë të një hapësire të përbashkët kulturore dhe akademike. Sipas tij, bashkëpunimi midis universiteteve duhet të thellohet përmes shkëmbimit të studentëve, programeve të përbashkëta të studimit dhe platformave rajonale, pasi arsimi shqip nuk është çështje kufijsh, por çështje cilësie. Gjatë vizitës së Presidentit Begaj në UT, u firmos vazhdimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Tiranës. Vizita e Presidentit Begaj u vlerësua si një mbështetje e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit arsimor dhe institucional ndërmjet Shqipërisë dhe Universitetit të Tetovës, si dhe për afirmimin e arsimit të lartë në gjuhën shqipe në vend dhe rajon.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj: Universiteti i Tetovës lindi nga vendimi i guximshëm historik

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo